Gjatë këtij vit, diaspora e Kosovës, jo vetëm që ka vazhduar, por edhe ka shtuar remitencat që i dërgon apo investon në Kosovë. Të dhënat e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, tregojnë se shuma e remitencave të dërguara, ka shënuar rritje. Vetëm në janar të këtij viti, vlera e tyre arriti në shumë prej 83.8 milionë eurosh.
Investimet dhe përkrahja e diasporës për Kosovën vazhdon të jetë e madhe. Investimet e tyre kryesisht janë në patundshmëri, por duke mos lënë anash edhe projekte zhvillimore.
Të dhënat e fundit nga Banka Qendrore e Kosovës, theksojnë se në janar të këtij viti, vlera e remitencave nga diaspora, arriti në shumën prej 83.8 milionë eurosh, derisa në janarin e vitit 2022, remitancat ishin 70.5 milionë euro. Në një përgjigje elektronike për Radio Kosovën Kushtrim Ahmeti nga BQK, ka thënë se vlerësimet preliminare sugjerojnë për një rritje të remitancave prej 18.9 për qind për vitin 2023.
Ndërkohë, njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, tha për Radio Kosovën, që shteti duhet të krijojë mundësi më të mira, që remitancat dhe investimet e diasporës të riorientohen për projekte zhvillimore të ekonomisë së vendit.
“Nuk e kam problemin vetëm me mungesën e investitorëve të huaj, problemin e kam te mungesa e investimeve nga diaspora. Diaspora dërgon remitanca, është koha që duhet ta kemi një riorientim të këtyre mjeteve që të mos jenë gjithmonë të gjykuara që të jenë të konsumuara, por të jenë të gatshme që djersa e diasporës të jetë në të mirë të zhvillimit, të krijojë vende të reja të punës, të krijojë prodhim, inovacion, përmirësim të planit të pagesave, të përmirësojë imazhin e Kosovës sepse më ketë avaz, ne jemi duke u varfëruar”, tha Gërxhaliu.
Sipas BQK-së, shtetet që nga më së shumti dërgojnë remitancat janë ato gjermano-folëse-Gjermania dhe Zvicra, e pasojnë SHBA, Italia, Austria, Franca etj.