Vladimir Putin ndodhet prej më shumë se 24 orësh në kërkim ndërkombëtar. Por çfarë ndryshon për presidentin e Rusisë pasi Gjykata Penale Ndërkombëtare e Hagës lëshoi një urdhër-arresti ndaj tij duke e bërë fajtor për krime lufte dhe deportimin me forcë të fëmijëve nga Ukraina.
Duke nisur nga momenti i lëshimit të mandatit, Putini nuk mund të shkelë në asnjë prej 123 vendet që aderojnë në Gjykatën e Hagës, përfshirë Shqipërinë. Nëse shefi i Kremlinit do të vinte në Tiranë, ai do të arrestohej menjëherë. Por është paksa absurd fakti që presidenti rus mund të udhëtojë pa asnjë problem drejt Nju Jorkut, apo edhe në Kiev të Ukrainës, shkruan A2.
Kjo pasi, përveç Rusisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kina dhe India janë mes vendeve që nuk kanë nënshkruar Statutin e Romës të vitit 2002, dokumentin zyrtar që i dha jetë Gjykatës së Hagës. Nga pikëpamja politike, urdhër-arresti është si një shuplakë për Putinin, pasi e rreshton zyrtarisht në listën e tiranëve dhe krerëve të shteteve që akuzohen për krime lufte brenda dhe jashtë kufijve të shtetit të tyre.
I njëjti trajtim i është bërë dhe ish liderit të Libisë, Muamar Gadafi dhe atij të Sudanit, Bashir. Shpallja në kërkim ndërkombëtar, ia pamundëson presidentit rus pjesëmarrjen në çfarëdolloj samiti politik. Kryeprokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Karim Khan, tha për CNN se besonte se Vladimir Putin mund të gjykohej për krime të dyshuara lufte, pavarësisht se Moska pretendon se nuk i nënshtrohet vendimeve të gjykatës.
Khan kujtoi gjyqet historike të kriminelëve nazistë të luftës, të ish-presidentit jugosllav Slobodan Millosheviç si shembuj të figurave në dukje të paprekshme që u përballën me drejtësinë.