Pak orë para ditës së takimit me presidentin e Serbisë në Ohër të Maqedonisë së Veriut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka thënë këshilltarit të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, se Kosova është e përkushtuar që dita e nesërme të jetë e suksesshme.
Siç bëhet e ditur në një komunikatë për media, të premten në mbrëmje Kurti ka pasur bisedë telefonike me Cholletin.
“U bisedua për rëndësinë që kjo fundjavë ka për Kosovën, rajonin, integrimet Euro-Atlantike dhe sigurinë. Kryeministri theksoi se Kosova është e përkushtuar që dita e nesërme të jetë e suksesshme”, thuhet në komunikatë.
Kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë do të takohen të shtunën në Ohër të Maqedonisë së Veriut për të diskutuar për planin e zbatimit të propozimit evropian, për përmbajtjen e të cilit u pajtuan më 27 shkurt.