Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se është e rëndësishme që të gjithë të pajtohen që Asociacioni i komunave me shumicë serbe (AKS) duhet të formohet. Hill ka thënë se Asociacioni ishte dakorduar qysh 10 vjet më parë, raporton televizioni serb “RTS”.
Hill ka folur në panelin “E ardhmja e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor” në Forumin e Biznesit në Kopaonik.
Hill ka thënë se “10 vjet është kohë shumë e gjatë dhe se marrëveshjet duhet respektuar”.
“Nuk duhet të jesh historian apo antropolog për ta ditur se serbët jetojnë në Kosovë me shekuj dhe kanë të drejtë të vendosin për të ardhmen e tyre. Është shumë e rëndësishme që qeveria në Beograd t’i ndihmojë serbët të jenë të suksesshëm si komunitet. Jam optimist se kjo mund të ndodhë”, tha Hill.
Ai ka vlerësuar se Bashkimi Evropian (BE) është gjëja më e mirë që i ka ndodhur Evropës me shekuj. Thotë se ka vështirësi, por duhet fokusuar te qëllimi.
“BE-ja është përgjegjëse për zgjidhjen e problemeve edhe jashtë BE-së. Shpesh lodhemi duke folur për burokraci, por të gjithë në Evropë duhet të përpiqen për anëtarësim”, tha Hill.
Ai thotë se Serbia herët a vonë do të bëhet anëtare, porse duhet plotësuar kushtet.
“Serbia duhet të ketë një politikë të fortë dhe ta zgjidhë çështjen e Kosovës, e cila është shumë e vështirë”, tha Hill.
Në Forum ka folur edhe ambasadori i Francës në Serbi, Pierre Cauchard.
Cauchard tha se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë mund të bëhet edhe pa i kaluar “vijat e kuqe”.