Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Forumin Ekonomik që po mbahet në Shkup ka folur për takimin e radhës që pritet të ketë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Kumanovë.
Duke folur për rëndësinë që ka Maqedonia e Veriut për Kosovën, Kurti ka thënë se është një vend që avancon në kuptimin e demokracisë, sundimit të ligjit dhe në kontekst të integrimeve evropiane.
Ai gjithashtu ka përmendur edhe nënshkrimin e kapitullimit të Jugosllavisë dhe hyrjen e forcave të NATO-s.
“Mos të harrojmë se më 9 qershor të vitit 1999 në Kumanovë u nënshkrua kapitullimi i Jugosllavisë së Millosheviqit dhe hyrja e forcave të NATO-s. Mendoj se këto elemente simbolike të Maqedonisë së Veriut ishim të rëndësishme për Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell, që të na ftoj në Maqedoni për takimin e radhës të nivelit të lartë”, është shprehur kreu i ekzekutivit kosovar.