Së paku 32 persona kanë vdekur dhe dhjetëra janë lënduar pasi dy trena janë përplasur në veri të Greqisë, kanë njoftuar shërbimet e emergjencës.
Një tren që po barte rreth 350 pasagjerë është përplasur me një tren të mallrave në afërsi të qytetit Larissa të martën natën.
Ekipet e shpëtimit kanë punuar gjatë natës për të gjetur të mbijetuar.
Arsyet e aksidentit nuk po dihen ende.
Treni i pasagjerëve ishte nisur nga Athina dhe destinacion kishte qytetin verior Selanikun. U përplas në mënyrë ballore me trenin e mallrave, duke çuar në zjarr në së pakun njërin prej vagonëve.
Një i mbijetuar ka folur për tmerrin e përjetuar. Ai tregoi se vagoni ku ishte u përfshi nga zjarri pasi u rrotullua pas përplasjes.
“Ne kemi dëgjuar një zhurmë të madhe. Ishin dhjetë sekonda tmerri. Ne po rrotulloheshim nëpër vagon derisa vagoni u ndal. Më pas kishte panik. Kabllot, zjarri. Zjarri ishte i menjëhershëm. Po digjeshim. Për 10, 15 sekonda ishte kaos. Njerëz duke bërtitur”, ka thënë pasagjeri Stergios Minenis për agjencinë e lajmeve “Reuters”.
Një pasagjer tjetër, Angelos Tsiamouras, ka treguar se iu duk sikur tërmet.
“Ishte një përplasje shumë e fuqishme. Natë e tmerrshme…Vështirë të përshkruhen skenat”, ka thënë guvernatori i rajonit Thessaly, Kolstas Agorastos për televizionin shtetëror grek.
Rreth 150 zjarrfikës janë në vendin e ngjarjes dhe 40 ambulanca.
Kushtet e punës për punonjësit e shpëtimit ishin “shumë të vështira”, pasi “aksidenti ishte shumë i rëndë”, ka thënë zëdhënësi i Departamentit të Zjarrfikësve, Vassilis Varthakoyiannis.
“Kurrë nuk kam parë diçka të tillë në jetën time. Është tragjike. Pesë orë më vonë, ne po gjejmë trupa”, ka thënë për AFP-në një punonjës i shpëtimit.
“Ne jemi duke përjetuar tragjedi. Po nxjerrim njerëz të gjallë, të lënduar…të vdekur. Do të jemi këtu derisa të nxjerrim edhe personin e fundit”, ka thënë një punëtor tjetër i shpëtimit.