Përmes një njoftimi Komuna e Prizrenit ka njoftuar se me ftesë të Drejtorit Gjeneral të Panaireve të qytetit Essen, morri pjesë në panairin e turizmit “Reise + Camping” si Komunë Partnere e Panairit të Essen-it.
Njoftimi i plotë:
Në Essen të Gjermanisë, me ftesë të Drejtorit Gjeneral të Panaireve në këtë qytet z. Oliver P. Kuhrt, Komuna e Prizrenit morri pjesë, për herë të parë, në panairin e turizmit “Reise + Camping” si Komunë Partnere e Panairit të Essen-it. Prizreni ishte në mesin e 800 përfaqësuesve, nga 16 vende të botës, ku u prezantuan ofertat turistike dhe produktet vendore të shteteve të ndryshme të Botës.
✔️Nënkryetari Kujtim Gashi dhe zëdhënësja e kabinetit të Kryetarit Jona Hoxhaj, ishin pjesëmarrës dhe morrën pjesë edhe në hapjen solemne të panairit ku takuan drejtorin gjeneral z. Kuhrt i cili u zotua për vazhdimin e bashkëpunimit me Prizrenin. Gjatë ceremonisë së hapjes, ku u bë prezantimi i bashkëpunimeve mes panairit dhe vendeve kryesore pjesëmarrëse në panair, Prizreni u prezantua nga z. Kuhrt, si destinacion potencial për turizëm kulturor e malor.
✔️Në këtë panair, përfaqësuesit e Prizrenit poashtu takuan dhe kryetarin e qytetit të Essenit z. Thomas Kufen, i cili shprehu entuziazmin për pjesëmarrjen e Prizrenit për herë të parë në panairin e Essenit.
✔️Gjatë 5 ditëve në panair, shtandi i Prizrenit ishte ndër më të vizituarit, afër 2500 njerëz që ndaluan për të kërkuar informacione dhe poashtu produktet e Kosovës ishin ndër më të pëlqyerat.
✔️Në panair, Prizreni u prezantua me të veçantat e turizmit të vendit tonë, traditat, ofertat turistike dhe me produktet vendore, ku bashkë me qytetin u prezantuan produktet e disa prej kompanive të qytetit tonë dhe ofertat e tyre turistike: Abi Green Hotel, Sharri Hotel, Frutti, Liri, Eurofood dhe Abi Progress.
✔️Tursitët potencial ishin të interesuar për kapacitetet e kampingut për pushimet që do të përfshijnë përvojë kulturore-tradicionale e kulinarike.
✔️Gazetarë nga e githë Gjermania vizituan shtandin e Prizrenit për të realizuar reportazhe për qytetin dhe produktet e Kosovës.
✔️Shtandin e Prizrenit e vizitoi, gjithashtu znj. Teuta Abazi, kryetarja e këshillit për integrime në qytetin e Gelsenkirchen, e cila po e drejton projektin e fillimit të bashkëpunimit mes qytetit të Prizrenit dhe Gelsenkirchen.
✔️Falenderojmë Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Düsseldorf, Konsullin z. Kenan Islami dhe zv. Konsullen znj. Arta Selimi për vizitën në ditën e parë të panairit.
✔️Falenderojmë Shoqatën Ideal me përfaqësues z. Bekim Hoxhaj dhe Konsullatën e Nderit të Republikës së Shqipërisë, Konsullen znj. Anduena Stephan për ndihmën e pakursyer në këtë organizim të jashtëzakonshëm.
✔️Poashtu, falenderim i veçantë për studentët e diasporës që prezantuan për 5 ditë me radhë, për vizitorët, në 7 gjuhë të ndryshme.
Prizreni u prezantua dinjitetshëm në Essen, prandaj urojmë që shumë vizitorë nga Gjermania e Evropa do ta vizitojnë Prizrenin në verën e vitit 2024.