Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar në Munich, me emisarin e Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach.
Në takim, siç ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, është diskutuar për bashkëpunimin mes dy vendeve, sidomos në fushën e sigurisë, dhe për zhvillimet e sfidat rajonale.
Takimi ështën zhvilluar në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Munich.
“Gjatë ditës së djeshme, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti takoi të Dërguarin e Posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach. U diskutua për marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale, rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, veçanërisht në fushën e sigurisë, dhe për zhvillimet dhe sfidat rajonale. Kryeministri Kurti falënderoi Lord Peach për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në zhvillimin dhe proceset integruese të saj, dhe rolin aktiv të Mbretërisë së Bashkuar në Ballkanin Perëndimor”, thuhet nga Zyra e Kreministrit.
Kurti ka zhvilluar takim edhe me deputetë të Bundestagut gjerman, nga radhë e Partisë Social Demokrate, Partisë Liberale dhe Unionit Demokristian.
“Ai po ashtu i njoftoi deputetët gjermanë që Qeveria e Kosovës tashmë ka miratuar tri marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të Procesit të Berlinit. Të njëjtat shumë shpejt pritet që të ratifikohen edhe në Kuvend. Në takim u diskutua edhe për raportet me Serbinë dhe propozimin evropian, të iniciuar nga Gjermania dhe Franca, për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet nga Zyra e Kryeministrit.
Kurti po ashtu është takuar edhe me sekretarin e përgjithshëm të INTERPOL-it, Jurgen Stock.
“Luftimi i krimit të organizuar, korrupsionit, përkushtimi ndaj sundimit të ligjit dhe angazhimi i institucioneve të rendit të Republikës së Kosovës, ishin temat kryesore të diskutimit. Kryeministri Kurti e njoftoi Sekretarin Stock për sukseset e shënuara përballë grupeve kriminale dhe krimit të organizuar përgjatë dy viteve të fundit dhe për bashkëpunimin frytdhënës me shtete dhe organizata partnere në luftimin e krimit të organizuar trans-nacional”, thuhet nga Zyra e Kryeministrit./koha.net/