“Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të jemi fer”, tha Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë për TRT World, pyetur në lidhje me deklaratën e zv/ndihmës sekretarit amerikan të shtetit, Gabriel Escobar, se Asociacioni “duhet të bëhet” dhe se marrëveshja për themelimin e tij nuk është marrëveshje ndërmjet Kurtit dhe Serbisë, por mes Kosovës dhe Serbisë.
Kurti rikujtoi “gjashtë kushtet” e artikuluara së fundi në Kuvendin e Kosovës, duke iu përgjigjur pyetjes në lidhje me deklaratën e Escobar, për çka tha se “ato s’janë as qëndrime të mia arbitrare, e as mendime vetanake të mia”.
Kurti, mes rreshtash, pranoi se Asociacioni mund të bëhet, por vetëm pas njohjes së ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, e jo para saj.
“Vullneti i popullit të Kosovës, kushtetutshmëria dhe ligjshmëria, janë gjërat që mua më bëjnë të them së pari njohja e ndërsjellë, dhe vetëm më pastaj të ketë ndonjë lloj Asociacioni”, tha Kurti.
Kurti, në kontekstin e përgjigjes së tij ndaj kërkesave të Escobar, i tha gazetares turke se nuk duhet harrohet “përvoja e hidhur” në Bosnje-Hercegovinë me Republikën Serbe.
“Lufta [… në Bosnje-Hercegovinë…] erdhi nga ky Asociacion”, i tha gazetares kryeministri kosovar, derisa ajo po e ndërprente në përgjigjen e tij.
Gabriel Escobar në një intervistë për “The Pavlovic Today” tha Asociacioni “në një pikë” duhet dhe do të bëhet, dhe se ajo nuk është marrëveshje ndërmjet Kurtit dhe Serbisë, por ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Nuk ka se si të mos bëhet”, tha Escobar për Asociaiconin.