Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, ka thënë se Washingtoni dhe Brukseli e vlerësojnë si konstruktive dhe të përgjegjshme qasjen e Serbisë ndaj dialogut.
Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Daçiqi ka thënë se qëndrimi i Perëndimit ndaj Serbisë ka ndryshuar, pavarësisht se ata i dinë “vijat e tyre të kuqe”.
Daçiq theksoi se dy vijat e kuqe janë: çështja e njohjes së Kosovës dhe, siç tha ai, “një parakusht për të gjitha parakushtet” që së pari të formohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe.
“Është diçka për të cilën realisht nuk kemi nevojë të diskutojmë apo negociojmë përsëri, sepse është diçka për të cilën ndoshta jemi pajtuar kur e kemi nënshkruar atë marrëveshje 10 vjet më parë”, ka thënë Daçiq.
Ai ka shtuar se performanca e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, është vlerësuar si konstruktive edhe nga sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, për të cilin ka shtuar se ka vlerësime të kundërta për Prishtinën dhe kryeministrin, Albin Kurti.
“Mendoj se është e rëndësishme edhe telefonata që sekretari i Shtetit Blinken bëri me presidentin Vuçiq para seancës së sotme të Kuvendit të Serbisë. Ajo thirrje ishte pasojë e drejtpërdrejtë e qëndrimit që mund të dëgjoja si në Bruksel ashtu edhe këtu në Washington – dhe mendoj se ky është ndoshta mesazhi më i rëndësishëm, që është se performanca dhe pozicioni i presidentit Vuçiq, pra i Serbisë, vlerësohet si konstruktiv dhe i përgjegjshëm. Dhe shpesh krahasohet me Prishtinën dhe Kurtin, për të cilët ka vlerësime të kundërta”, ka thënë Daçiq.