Përfaqësuesi i Shqipërisë në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, Lulzim Basha, ka bërë thirrje që shtetet që nuk e kanë njohur ende Kosovën, ta bëjnë këtë.
Në fjalën e tij gjatë diskutimit që po mbahet mbi Kosovën, ai ka thënë se sa më parë që të pranohet nga të gjitha shtetet realiteti se Kosova është shtet i pavarur, do të jetë më mirë për qytetarët e Kosovës dhe për të ardhmen e rajonit.
Duke iu referuar situatës së fundit në veri të Kosovës, Basha ka thënë se retorika nacionaliste ka treguar se në Serbi ende e gjejnë të vështirë të shkëputen nga e kaluara e përgjakshme.
“Fatkeqësisht si ngjarjet e fundit treguan edhe sot disa mendojnë se retorika nacionaliste do t’i ndihmojë të mbajnë fuqi të përjetshme, të tjerë e gjejnë të vështirë të shkëputen nga e kaluara e përgjakshme. Sidoqoftë, këto dilema nuk mund të mbajnë të ardhmen e rajonit peng, nuk duhet ta mbajnë të ardhmen evropiane të Serbisë peng. Nëse përfaqësuesit e Serbisë këtu sot janë të shqetësuar për të drejtat e minoritetit serb në Kosovë, atëherë le t’i bashkojmë përpjekjet bashkë dhe të mirëpresim Kosovën si anëtare të Këshillit të Evropës, duke lejuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe minoriteteve që ky institucion ofron për të gjithë”, ka thënë Basha.
Basha ka thënë se pas agresionit rus në Ukrainë, është koha që të mendohet më mirë dhe të vihet paqja e stabiliteti në Evropë, duke filluar nga pranimi i Kosovës shtet.
“I bëj thirrje shteteve anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur ende Kosovën, 15 vjet pas pavarësisë dhe 1 vit pas agresionit të Rusisë në Ukrainë, është koha që të vëmë paqen dhe stabilitetin, paqen dhe stabilitetin tona, paqen dhe stabilitetin e Evropës fillimisht. Kosova është rast sui generis dhe do të ishte gabim i madh për secilin shtet që të ngrehë paralele me situatat e tjera. Çfarë po ndodh në Ukrainë sot, na flet ne që të shohim përtej interesave të sotme. Ballkani Perëndimor në NATO, Ballkan Perëndimor në BE nënkupton Evropë më të fortë, stabile dhe me prosperitet”, ka deklaruar Basha.