Banorët e lagjes “Memaj” në Vlashnje, reagojnë për neglizhencë institucionale në zgjidhjen e problemit të tyre ku si pasojë gjatë të reshurave të shiut dhe borës në këtë lagje ndodhin vërshime.
“Ka 5 vite prej se jemi vendos këtu si lagje dhe sa herë ka rënie të të reshurave atmosferike deri në këtë masë, pasojnë vërshimet, duke na pamundësuar lëvizjen nëpër rrugën tonë si dhe duke rrezikuar shtëpitë ku jetojmë.
Këto vërshime vijnë si pasojë e mos rregullimit të kanaleve të ujit, të cilat prej se është ndërtuar autostrada janë të pasistemuar, dhe si rezultat i saj uji vërshon arat dhe shtëpitë tona gjithandej, duke na vënë në rrezik edhe shembjen e shtëpive tona.
Ironia e krejt kësaj është se ne si lagje “Memaj”, të vendosur këtu në Vlashnje, ka 5 vite që kërkojmë nga institucionet përkatëse të komunës rregullimin e kësaj çështje, pra një zgjedhje afatgjate, mirëpo për fat të keq kemi hasur ë vesh të shurdhër.
Drejtoria e Shërbimeve Publike, si ajo e kaluara ashtu edhe kjo tani është shumë e informuar për këtë çështje, mirëpo nuk i intereson ta zgjidhë këtë problem. Nëse edhe këto pamje nuk i brengos aspak përgjegjësit e institucioneve komunale, atëherë çfarë duhet më shumë që ata ta marrin seriozisht zgjedhjen e kësaj çështje.
Deri kur komuna duhet t’i shërbej një partie politike dhe militantëve e jo të gjithë qytetarëve pa dallim. Prandaj, ne si lagje kërkojmë zgjidhje urgjente, ose për ndryshe të gjithë këto ujëra do t’i orientojmë në drejtim të rrugës kryesore.”, thuhet në fund të këtij reagimi nga banori i kësaj lagje, Adil Memaj.