Shkruan: Nora Simitçiu- ekologe
Në Kosovë, në zonat ku sistemi i drenazhimit dhe kanalizimit është i stërvjetruar apo i ndërtuar jashtë standardeve të parapara, pas një reshje atmosferike është bërë zakon që uji të kalojë mbi tokë duke nxjerrë mbetjet, duke ndotur ambientin – sidomos burimet e ujit, dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme ekologjike.
Sot, përderisa Kosova po përballet me përmbytje nga reshjet atmosferike, pyetja të cilën po e bëjmë është se cilat janë dëmet dhe pasojat që po i shkaktojnë këto vërshime. Në realitet, pyetja të cilën do të duhej ta shtronim është se cilat janë dëmet që po i shkakton njeriut dhe ambientit një infrastrukturë e dobët dhe e paplanifikuar.
Është e vërtetë që sistemi i dobët i drenazhimit dhe kanalizimit është shkaku i vërtetë i përmbytjeve urbane që po shkaktohen në shumë rajone të Kosovës këto ditë. Kjo fatkeqësi po kontribuon në mënyrë të konsiderueshme në përhapjen e sëmundjeve që mund të rrisin gjasat e kontraktimit të infeksioneve tek njeriu dhe njëkohësisht po dëmton rëndë edhe habitatet natyrore.
Ngjarjet klimatike si përmbytjet që po i shohim këto ditë në Kosovë mund të shkaktojnë pasoja në ekosisteme, potencialisht edhe duke i zhvendosur ato në një gjendje alternative. Përmbytjet rrisin rrjedhjet sipërfaqësore, përkeqësojnë erozionin dhe fusin më shumë dhe, lëndë organike dhe ndotës në rrjedhat e ujit. Studimet tregojnë se në një nivel të lartë biomasa bimore dhe kurrizorët – siç janë peshqit – dhe jovertebrorët mund të reduktohen në mënyrë dramatike nga pasojat ekologjike që shkaktohen nga përmbytjet.
Ndikimet mjedisore të përmbytjeve mund të jenë mjaft të ndryshme, e ndër më të rrezikshmet është ndotja e burimeve të ujit të pijshëm me materiale infektive ose kimikale përmes përzierjes së këtyre burimeve me sistemin ujërave të zeza.
Një rrezik tjetër ambiental që shkaktohet si pasojë e përmbytjeve është edhe depërtimi në sipërfaqe i materieve nga rezervuaret e lëndëve industriale djegëse që gjinden në thellësi të tokës dhe kjo mund të shkaktojë pasoja afatgjate sidomos nëse preken tokat bujqësore dhe habitatet.
Në vendin tonë vërshimet e ujërave janë bërë ndodhi të cilat zënë vend çdo vit në këtë sezonë përderisa institucionet nuk ndërmarrin veprime në ofrimin e një zgjidhje të qëndrueshme duke rrezikuar jetën e qytetarëve dhe duke lejuar që zona të shumta bujqësore të shkatërrohen.
Duke e pasur parasysh rrezikun dhe pasojat sociale, ekonomike dhe mjedisore që po shkaktojnë përmbytjet në Kosovë është urgjente që qeveria, komunat, ambientalistët dhe planifikuesit urban të bashkëpunojnë për të vendosur një infrastrukturë për të parandaluar përmbytjet urbane dhe të mënjanohen ndikimet të cilat mund të kenë pasoja afatgjate, e ndonjëherë edhe të pakthyeshme.