Pas dy javë bllokimi në veri të vendit, shkaku i barrikadave të vendosura nga serbët lokalë, pjesëtarët e Policisë së Kosovës që mbetën në Leposaviq, janë zëvëndësuar me të tjerë.
Kjo është bërë të shtunën në mbrëmje. Lajmin e konfirmoi Imer Zeqiri nga Sindikata e Policisë së Kosovës, sipas të cilit, në përgjithësi gjendja shëndetësore e tyre është e mirë.
Për gjithë këto ditë, policët e mbetur në veri, kanë konsumuar ushqim të konservuar dhe nuk kanë pasur mundësi të pastrohen apo të ndërrojnë rrobat.
Sidoqoftë, zëvëndësimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, nuk u ka pëlqyer zyrtarëve të shtetit të Serbisë.
Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka thënë se Policia e Kosovës ka hyrë mbrëmë në Leposaviq dhe me ndihmën e KFOR-it ka ndërruar personelin në stacionin policor të Leposaviqit.
Ai ka deklaruar për mediat serbe se të dielen në mëngjes, ka marrë informatën se “një pjesë e policisë speciale është transferuar nga baza e Ferizajt për në Mitrovicë”.
Sipas tij, bëhet fjalë për një grup prej 35 policësh.
“Zëvëndësimi nuk është një fakt që është i këndshëm për ne, por duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë”, tha Vuçeviq, raporton RTKlive.
Përndryshe, rrugët magjistrale Mitrovicë-Jarinjë dhe Mitrovicë-Bërnjak, vazhdojnë të mbesin të bllokuara nga barrikadat e vendosura nga serbët, që kundërshtojnë arrestimin e ish policit Dejan Pantiq.
Ky i fundit dyshohet për demolim të zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut dhe hedhjen e shok -bombave.
Ndërkohë, një ditë më parë, kryeministri Albin Kurti deklaroi se bllokimi i rrugëve të veri të vendit do të marrë zgjidhje pas festës së Krishtlindjes./RTKlive/