Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e konsideron Prokurorinë përgjegjëse kryesore për vrasjes e Hamide Magashit nga ish-bashkëshorti i saj, i cili më pas u vetëvra.
Haxhiu për KosovaPress, thotë se si grup ndërministror kundër dhunës në familje, kanë pranuar tri raportet inspektuese, por që veprime deri tani janë ndërmarrë vetëm nga Inspektorati Policor.
Ajo thotë se bazuar në informatat e deritashme, dështimi kryesor ka qenë te Prokuroria.
Magashi 35-vjeçare ishte vrarë pranë Klinikës së Gjinekologjisë, ku po pritej të lindte.
“Sipas informacioneve të deritanishme që i kemi, dështimi kryesor është te Prokuroria. Tashmë ne kemi tri raportet, por që masa janë ndërmarrë deri tani vetëm sa i përket zyrtarëve policorë që dyshohet se kanë falsifikuar dokumentet“, deklaroi Haxhiu.
Albulena Haxhiu insiston që të gjithë ata zyrtarë që nuk ishin në krye të detyrës për rastin e të ndjerës Magashi, duhet të ndiqen penalisht.
“Sipas informacioneve që i kem të gjitha raportet do t’i dërgojmë në Prokurori, sepse duhet të ndiqet penalisht secili prej zyrtarëve përgjegjës që nuk e ka kryer detyrë. Pavarësisht se ne konsiderojmë se nuk janë ndjekur procedurat standarde të veprimit nga Qendrat për Punë Sociale, në punë të madhe dhe institucionet tjera, ende nuk i kemi raportet për mbrojtësit e viktimave, sepse kjo është në kuadër të Prokurorisë. Përgjegjësinë më të madhe në këtë rast ne e shohim te Prokuroria sepse sikur Prokuroria të ndërmerrte veprime asokohe, situatën do ta kishim ndryshe dhe kjo nuk është hera e parë“, theksoi ajo.
Në fillim të këtij muaj, para Klinikës së Gjinekologjisë, Hamide Magashi u vra nga ish bashkëshorti i saj, Sokol Halili, i cili për disa ditë ishte në arrati dhe më pas në shtëpinë e tij u vetëvra.
Albulena Haxhiu ka folur edhe për rastin e zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit.
E dy javë më parë përmes një konference për media, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte njoftuar për zhdukjen e mostrave të gjakut, urinës e lukthit të ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.
Haxhiu thotë se është e lehtë të zbulohet se kush qëndron prapa zhdukjes së mostrave të Deharit.
Ndërsa, shprehet e gatshme për ta dhënë dëshminë e saj para Prokurorisë kurdo që e thërrasin.
“Tashmë Policia dhe Prokuroria është duke e trajtuar këtë rast, sepse siç e dini vetëm tre persona kanë pasur qasje në vendin ku ruhen mostrat dhe janë suspenduar katër persona, sepse ka qenë një person tjetër që nuk ka pas qasje, megjithatë ka qenë në të njëjtin ambient ku ruhen mostrat. Tashmë ne jemi në shërbim të Prokurorisë, kurdo që ka nevojë për informata shtesë në raport me këtë çështje, unë deri tani nuk jam ftuar nga Prokuroria, për të dhënë dëshminë time, sepse ky rast është njoftuat tek unë e më pas unë kam kërkuar që të njoftohet drejtori dhe pastaj kam njoftuar organet përgjegjëse. Unë mendoj se ky rast është shumë e lehtë që të zbulohet sepse qasje në të kanë pasur vetëm 3 persona”, u shpreh Haxhiu.
Sipas Haxhiu, ka një tendencë që rasti i ish-aktivistit të LVV-së, Astrit Dehari të dëmtohet edhe më tepër./KSP/koha.net/