Lidhjen mes dy lagjeve e lirimin e trafikut në Prishtinë, Komuna e Prishtinës po synon ta bëjë përmes këtij projekti, punimet e së cilit kanë filluar javën e kaluar.
Nga rrethrrotullimi i “Arbërisë” e deri tek ai i “Emshirit” parashihet të ndërtohet unaza e brendshme e qytetit, që do të kushtojë 1 milion e 149 mijë euro dhe pritet të përfundojë për 90 ditë pune.
Ky është njëri ndër projektet më madhorë të kryeqytetit, i cili ishte edhe pjesë e premtimit elektoral të kryetarit Përparim Rama.
“Qasja që ka munguar deri më tani kemi pasur një zhvillim të hovshëm të lagjes ‘Arbëria’, mirëpo kemi pasur rrugë që kanë përfunduar siç kanë përfunduar në hekurudhë, por nuk kanë pasur ndërlidhje me rrugë të tjera të kryeqytetit e këtë po e bëjmë tani të mundur. Është një projekt madhor që faza e parë është 700 metra, në vitin tjetër vazhdojmë me projekt për fazën e dytë që e ndërlidh me rrethrrotullimin e madh, i cili lidh Prishtinën me Fushë-Kosovë dhe Mitrovicë”, tha Rama.
Në këtë tender do të përfshihet edhe pjesa e kalimit të këmbësorëve, që nuk do të jetë e njëjta siç është tani.
“Ne kemi filluar punimet për ndërtimin e unazës së brendshme, prej rrethrrotullimit të “Arbërisë” në rrethrrotullimin e “Lakërishtës”. Jemi këtu në pjesën afër Komunës së Re, prej këtu e kemi të kontraktuar deri te rruga që ndërlidhet me pjesën e objekteve banesore në këtë zonë. Në këtë lokacion e kemi të tenderuar edhe pjesën e kalimit të këmbësorëve që në këtë formën që është nuk do të jetë më. E po ashtu edhe në vitin 2023 e kemi të planifikuar ndërtimin e nënkalimit te pjesa e Stacionit të Autobusëve dhe kjo rrugë do të jetë deri në këtë pjesë këtu”, tha Krenar Xhaferi, drejtor i Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës.
Xhaferi thotë se kanë bërë një zgjidhje edhe për varrezat afër hekurudhës, për shkak të së cilave mandatin e kaluar ka mbetur në gjysmë rrethrrotullimi në “Lakërishtë”.
“Jemi duke punuar dhe kemi marrë detyrën projektuese që të kalojmë pjesën e hekurudhës me një pjesë tuneli që t’u shmangemi edhe varrezave edhe të bëjmë një zgjidhje më të mirë teknike, pra do të kalojë në këtë formë dhe do të lidhet me këtë rrugën këtu. Deri në fund të vitit besoj që ne do ta përmbyllim pjesën e projektit edhe në fillim të vitit do të fillojnë punimet edhe në këtë pjesë”, tha Xhaferi.
Prishtina ka për synim ta bëjë edhe unazën madhore, e cila pritet që shumë shpejt të dërgohet në Ministri, ndërsa nga fundi i vitit parashihet të bëhen edhe diskutimet e para publike për të.