Ndonëse po konsumojnë më pak karburant për shkak të çmimeve të shtrenjta, konsumatorët shqiptarë po shpenzojnë shumë më tepër për të furnizuar automjetet e tyre me karburant këtë vit.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, kompanitë tregtuese të naftës kanë importuar 9.2 për qind me pak karburante gjatë nëntë mujorit të parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës.
E kundërta ka ndodhur me shpenzimet e shqiptarëve, të cilët kanë paguar mesatarisht 26 për qind më shtrenjtë për karburante brenda një viti ose rreth 185 milionë euro më tepër për të blerë më pak karburant në sasi.
Shifra është përllogaritur nga Monitor, bazuar në importet mujore sipas të dhënave të Ministrisë së Financave dhe çmimin mesatar mujor të naftës, që publikohet nga INSTAT.
Reklama
Mesatarisht, çdo muaj janë shpenzuar rreth 20 milionë euro më shumë për të blerë naftë apo benzinë, me nivelet më të larta që janë shënuar në periudhën qershor-shtator, kur dhe lëvizjet janë më të shumta për shkak të sezonit turistik.
Në janar dhe shkurt, konsumi i karburanteve shënoi tendencë rritëse në sasi, me përkatësisht 13 dhe 8.4 për qind. Në mars, pas fillimit të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, çmimet e naftës u rritën ndjeshëm si rrjedhojë e problemeve që u krijuan në furnizimin globale me këtë produkt.
Nafta kërceu në vend nga rreth 185-190 lekë në fund të shkurtit në 235 lekë në ditët e para të marsit, duke qenë 42 për qind më e shtrenjtë se në të njëjtin muaj të një viti më parë. Edhe pas krijimit të Bordit të Transparencës, karburanti vijoi tendencën rritëse, duke kulmuar në qershor, kur çmimi mesatar arriti në rekordin historik të të gjitha kohërave prej 254 lekë për litër.
Reklama
Në muajt në vijim tendenca ishte në një rënie, por të lehtë, duke arritur në shtator në 225 lekë/litër, niveli më i ulët që nga shkurti. Por sërish nafta ishte 34 për qind më e shtrenjtë se shtatori i një viti më parë (shiko grafikun: Ecuria e çmimeve të naftës, sipas muajve)
Rritja e fortë e çmimeve e ndikoi ndjeshëm konsumin. Që nga marsi, importet e karburanteve, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave shënuan rënie që luhatet mesatarisht midis 10 dhe 20 për qind më pak.
Tkurrja ishte më e fortë në muajt e verës, që sipas operatorëve të tregut u ndikua kryesisht nga fakti që të huajt që vijnë me makina nuk furnizoheshin në pikat shqiptare të tregtimit të karburanteve, por para se të hynin në kufi, për shkak të diferencave të larta në çmime.