Studentët e Kosovës ndër vite kanë bërë organizime të aktiviteteve të ndryshme që lidheshin me situata aktuale në vend, por edhe problematika që i preknin ata.
Është shumë e njohur protesta e marsit të vitit 1981, e cila u organizua nga studentët e asaj kohe.
Më 4 mars të vitit 1981, studentët e Kosovës organizuan atë protestë për kushte më të mira në mensën e tyre, protestë kjo e cila ishte shkëndija e demonstratës së organizuar nga studentët më datën 11 mars 1981.
Si pasojë e demonstratave të studentëve, erdhën tubimet e njohura si “Demonstratat e punëtorëve”, në të cilat kërkohej lirimi i studentëve të burgosur.
Por, sa bëhen organizime studentore në ditët e sotme?
Kryetari i Parlamentit Studentor, Qlirim Hoti për Klankosova.tv tha se viteve të fundit ka pasur interesim më të madh për organizatat studentore, rrjedhimisht edhe për aktivitete e organizime që kanë për qëllim, siç tha ai, lehtësimin dhe dinamizimin e jetës studentore.
Mirëpo, pavarësisht interesimit, sipas tij organizimi i këtyre aktiviteteve është mjaft i vështirë.
“Organizimi është i vështirë sepse një numër i konsiderueshëm i studentëve janë të fokusuar në studimet që i ndjekin në njësitë akademike përkatëse. Angazhimet e detyrat e shumta edhe ua pamundësojnë atyre përfshirjen në aktivitetet studentore”, u shpreh Hoti për Klankosova.tv.
Kreu i PS-së foli edhe për kushtet në Universitetin e Prishtinës, për të cilat tha se lënë për të dëshiruar.
“Ndonëse ka një përmirësim të vazhdueshëm, kushtet e përgjithshme në Universitetin e Prishtinës lënë shumë për të dëshiruar. Ka njësi akademike të cilat nuk kanë objekt, kurse pjesa më e madhe e atyre që kanë objekt kanë infrastrukturë të vjetër e të dëmtuar. Rritja e buxhetit të UP-së duhet të jetë prioritet ashtu që të investohet më shumë në infrastrukturë dhe pajisje të avancuara teknologjike që do të ndikonin direkt në mbarëvajtje më të mirë të studimeve”, u shpreh tutje Hoti.
Se zëri studentor ka peshë dhe rëndësi për vendin tonë, për Klankosova.tv e tha kryetari i Unionit Demokratik Studentor, Arbër Gecaj.
Ai u shpreh se studentët kanë qenë nismëtarë të aktiviteteve dhe proceseve madhore në vend, mirëpo sipas tij ka disa arsye pse numri i organizimeve ditët e sotme është më i vogël.
“Studentët kanë qenë gjithmonë nismëtarë, jo vetëm të aktiviteteve por edhe proceseve madhore për çlirimin e vendit. Besoj që përsëri zëri studentor ka peshë dhe rëndësi shumë të madhe në vendin tonë. Sigurisht që pas lëvizjes së madhe të të rinjve drejtë Perëndimit, por edhe rënies së numrit të maturantëve, ka rënie të madhe të regjistrimit të studentëve të rinj në Universitetin e Prishtinës, por edhe në universitetet publike në përgjithësi. Gjithsesi, që ky fenomen ndikon edhe në rënien e aktiviteteve dhe organizimeve të ndryshme që vijnë nga studentët”, tha ai.
E rënia e numrit të studentëve, sipas Gecajt po e vështirëson edhe procesin e organizimit të atyre aktiviteteve që po bëhen.
“Më rënien e numrit të studentëve, padyshim që edhe organizimi i aktiviteteve të ndryshme është pakëz më i vështirë. Sigurisht që ka raste kur ne si studentë duhet të reagojmë ndaj fenomeneve negative, gjithsesi që studentët pa dallim bashkohen”, u shpreh Gecaj për Klankosova.tv.
Ai gjithashtu përmendi edhe disa gjëra që duhet realizuar, në mënyrë që të përmirësohet edhe cilësia e arsimit në Kosovë.
“Në mënyrë që cilësia dhe mbarëvajtja e studimeve të përmirësohet, duhet analizë dhe diskutim i thellë mes ekspertëve, studentëve e profesorëve. Por, ka disa faktorë elementarë që ne si studentë mendojmë që duhen realizuar për përmirësim të cilësisë së studimeve. Kohëve të fundit është shpërfaqur me të madhe plagjiatura e profesorëve të UP-së, e që është kanceri i universitetit. Ndaj fenomeneve të tilla, pa dallime duhet të ngrisim zërin në mënyrë që ky fenomen të dënohet. Poashtu faktorë tjerë që duhen trajtuar me urgjencë janë edhe politizimi i universiteteve, kontrolle dhe transaparencë ndaj secilit profesor, mbështetje për profesorët dhe studentët që bëjnë shkrime, publikime të ndryshme shkencore, etj.”, theksoi Gecaj.
Ndryshe, dje më 17 nëntor u shënua Dita Ndërkombëtare e Studentëve.
Kjo ditë përkujton 17 nëntorin e vitit 1939, kur forcat naziste ndërhynë në Universitetin e Pragës, pas demonstratave studentore kundër pushtimit të Çekosllovakisë dhe ekzekutuan pa gjyq të nëntë udhëheqësit e demonstratave studentore.
Gjithashtu dërguan mbi 1 mijë 200 studentë në kampet e përqendrimit, mbyllën të gjitha universitetet dhe i shndërruan në kazerma ushtarake.
Për shkak të kësaj ngjarje, 17 nëntori është shpallur Dita Ndërkombëtare e Studentëve./Klankosova.tv/