“Kemi një strategji shumë ambicioze e cila është në bazë të Deklaratës së Sofjes, ku nga viti 2031 duam të prodhojmë energji elektrike 400 MWh nga era apo 35 për qind të prodhimit të përgjithshëm. Këtë vit kemi rritur rreth 6 për qind buxhetin për këtë sektor dhe kursim të energjisë. Dhe nga viti i ardhshëm do të fillojmë me ndërtimin e projekteve për energji të ripërtëritshme”, ka thënë të hënën (më 14 nëntor 2022), kryeministri Albin Kurti në Forumin Ekonomik të Vjenës.
Ai ka saktësuar para përfaqësuesve eminentë të ekonomisë botërore, se Kosova planifikon investime në energji në vlerë prej 4.5 miliardë euro deri në vitin 2031.
“Qeveria e Kosovës momentalisht është duke planifikuar investime 4.5 miliardë euro për energji të pastër në Kosovë. Sa i përket energjisë së ripërtëritshme, qëllimi ynë në strategji është të vazhdojmë me dekarbonizim dhe efiçiencën për energji dhe të mbrojmë konsumatorin”, theksoi në kryeqytetin austriak Kurti.
Por, parashikimet e shpërfaqura të kryeministrit në Vjenë (raportime të medieve nga Forumi Ekonomik i Vjenës dhe të pa përgënjeshtruara nga Qeveria, por nuk pati edhe asnjë përmirësim gabimi, nëse është fjala për ndonjë gabim të rastit), nëse nuk janë transmetuar me gabime nga mediet, thjesht bien ndesh me objektivat e bëra publike tashmë të Strategjisë energjetike të Kosovës 2022-2031.
Ç’është e vërteta, shifrat e dëgjuara nga kryeministri në Vjenë për energjinë e rinovueshme janë edhe kontestuese dhe jo shumë të qarta edhe kur zbërthehet shuma gjithsej e paraparë për të investuar deri më 2031 (4,5 miliardë euro) dhe numri i megavatë-orëve të energjisë së rinovueshme të planifikuar të ndërtohen më 2031 (400 megavatë-orë), gjithnjë nëse nuk janë transmetuar gabimisht këto shifra. Sepse me 4,5 miliardë euro, realisht mund të ndërtohen shumë më shumë se 400 megavatë-orë të kapaciteteve të energjisë së ripërtëritëshme. Madje, sipas ekspertëve, disa fish më shumë, kapacitete, qoftë të energjisë me erë, qoftë solare, me paratë e akceptuara nga kryeministri, megjithë kostot e ngritura të investimeve në energjetikë.
Por, shifrat e shpërfaqura të kryeministrit në Vjenë për prodhimin e energjisë së rinovueshme deri më 2031, duken theksueshëm të reduktuara në krahasim me parashikimet e Strategjisë. Sepse, në Vjenë Kurti sipas medieve, tha se “nga viti 2031 duam të prodhojmë energji elektrike 400 MWh nga era, apo 35 për qind të prodhimit të përgjithshëm”, ndërsa parashikimet e Strategjisë të bëra publike sa e sa herë nga ministrja e Qeverisë Kurti, Artane Rizvanolli, janë saktësisht trefish më ambicioze.
Rizvanolli me rastin e hapjes së Konsultimeve Publike për Strategjinë e Energjisë 2022-2031, apostrofoi numra dhe shifra të synimeve dhe vizioneve shumë më ambicioze për të shtuar megavatët e energjisë së ripertëritshme, por edhe përcakoi afate, duke përmendur vite konkrete që ishin goxha të afërta dhe të shkurtra sa i përket kohës për ngritjen e kapaciteteve prodhuese për energjinë e rinovueshme. Sipas Rizvanollit, Kosova në tri vjetët e ardhshëm (deri më 2025) do të arrijë të ketë kapacitete deri në 500 megavatë të energjisë së ripërtëritshme, duke i shtuar kapacitetet e energjisë diellore.
“Për herë të parë, strategjia jonë e energjisë parasheh targete tejet ambicioze për sa i përket shfrytëzimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë. Gjatë tre vjetëve të ardhshëm do të arrihet që Kosova të ketë kapacitete prodhuese prej 500 megavat të energjisë së ripërtëritshme. Kjo do të bëhet duke shtuar kapacitetet e energjisë diellore, që do të thotë se në vitin 2025, do të kemi dy herë më shumë të kapaciteteve të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, krahasuar me ato që i kemi pasur gjatë vitit 2021”, pati thënë ajo.
Ajo ka saktësuar se deri në vitin 2031 do të arrijnë 1.400 megavatë nga kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme, duke ndërtuar kapacitetet e reja të erës dhe diellore. Ministrja Artane Rizvanolli në paraqitjet e saja jo të rralla publike, ka shpalosur edhe vizione të tjera për të pasur sa më shumë dhe sa më shpejtë energji të ripërtëritshme Kosova, të elaboruara nga institucionet kompetente vendimmarrëse kosovare dhe nga analiza teknike nga një grup i ekspertëve të pavarur.
Ndër të tjera, ajo ka sqaruar se integrimi i burimeve të ripërtëritshme të energjisë në rrjet do të mundësohet falë baterive me kapacitet prej së paku 170 megavatëve, ose duke krijuar 340 megavatë orë rezervë të energjisë elektrike. Mjaft ambicioz ishte edhe synimi i bërë publik nga ministrja se “deri në vitin 2031 synojmë që së paku 35 për qind e konsumit të energjisë elektrike të gjenerohet nga burimet e ripërtëritshme, ndërsa ndotja nga termocentralet të ulet për së paku 32 për qind”.