Mediumi shtetëror rus “Russia Today” ka nisur transmetimin online në Serbi. Madje edicionin e parë e nisi në gjuhën serbe me sloganin “Kosova është Serbi”.
Kjo shtrirje e ndikimit të Rusisë nuk po pritet mirë, duke e pasur parasysh faktin se edhe vetë Bashkimi Evropian e ka ndaluar operimin e këtij mediumi në vendet anëtare të saj.
Klan Kosova i ka intervistuar dy gazetarë, njëri korrespodent në Beograd dhe tjetri redaktor në Observatorin Evropian të Gazetarisë, për t’i pyetur rreth ndikimit që RT do të ketë në Ballkan, dhe të dy ata vlerësojnë se ky medium do të ketë rol dezinformimi.
Gazetari Idro Seferi tregon se ka qenë një luftë e gjatë e RT-së që përmes Serbisë të futet në tregun ballkanik në mënyrë që ta shtrijë ndikimin në rajon.
“Së pari transmetimi ka nisur me shprehjen Kosova është Serbi, gjë që tregon qëndrimin e Rusisë dhe i drejtohet popullit serb. Ka qenë një luftë e gjatë e RT-së që përmes Serbisë të futet në tregun Ballkanik, por edhe në tregun Evropian përmes kanalit në gjuhën gjermane që po ashtu parashihej të futej nga Serbia. Natyrisht që ky televizion ka për qëllim shtrirjen e ndikimit rus në Ballkan në forma të tjera duke krijuar influencë për një anë tjetër të medaljes së rrëfimeve rreth realitetit në Ballkan, pra kundër realitetit”.
“Mediat ruse tashmë funksionojnë fuqishëm në Ballkan edhe përmes platformave të tjera, nuk e shoh se sa më shumë mund të ndikoj RT në gjendjen aktuale pasi besoj se do të ndiqet nga ata që tashmë e duan dhe e vlerësojnë interpretimin rus të aktualitetit dhe historisë në Ballkan, por një gjë e tillë nuk do të kalojë pa kritika për Serbinë dhe tashmë janë edhe kritikat e para nga Bashkimi Evropian të cilët thonë se Serbia nuk mund të jetë qendër për dezinformim nga Kremlini”.
Sipas Seferit, e tëra kjo po ndodh në një kohë kur Serbia është duke u kritikuar nga bashkësia ndërkombëtare për mos vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë për luftën në Ukrainë.
“Pra, kjo e tëra ndodh në një kohë kur Serbia është nën kritika të mëdha për faktin që nuk i ka vënë sanksione Rusisë dhe këto të gjitha mund të konsiderohen si një hap më shumë në anën e kundërt. Gjithsesi, është ende e paqartë se si do të funksionojë RT Ballkanas, me çfarë gazetarësh dhe ku e si transmetohet. Unë sapo kërkova në internet dhe vështirë që gjendet diçka për të përveç se ka filluar transmetimin. RT Anglisht në Serbi është bllokuar nga njëri prej operatorëve të sistemit kabllor që në fillim të luftës në Ukrainë, por ende mund të shihet në një pjesë të Serbisë dhe në kabllorët tjerë”.
Lidhur me atë se si do të ndikojë ky medium në relacionin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Seferi vlerëson se çdo informatë jo mirë e filtruar dhe e pabalancuar ndikon në raportet në mes të të dyja vendeve.
“Çdo informatë jo mirë e filtruar dhe e pabalancuar ndikon në raportet Kosovë-Serbi e sidomos qëllimi i RT-së mund të jetë që ta paraqesë të vërtetën tjetër, pra sipas modelit rus dhe duhet pasur kujdes me informacionet. Gjithsesi, dialogu Kosovë-Serbi është në ndikim të madh të informacioneve që shpesh nuk janë të sakta edhe pa RT-në dhe nuk besoj se mund të ndikojë shumë më shumë RT-ja, por që është një simbolikë politike nëse lejohet ose jo transmetimi i televizionit rus në Ballkan në këto momente”.
“Bashkimi Evropian ka kërkuar edhe më herët nga Serbia që të përmbahet në intensifikimin e marrëdhënieve me Rusinë dhe të mos lejojë që RT të operojë në Ballkan pasi siç ka vlerësuar edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, RT është pjesë e propagandës dhe instrument i dezinformimit me të cilën Rusia e ndjek agresionin dhe vrasjet në Ukrainë. Sa i përket raporteve Kosovë-Serbi, varet shumë se në çfarë drejtimi do të shkojnë ngjarjet në veri të Kosovës dhe sa afër është marrëveshja në mes të të dyja vendeve. Por, gjithsesi arritja e RT-së tregon që Rusia nuk ka hequr dorë nga Ballkani, përkundrazi edhe pse duket se vëmendja është koncentruar më shumë në luftën në Ukrainë”.
“Gjithsesi, aty ku interesi i BE-së, por edhe ShBA-së është më i madh në këto momente, aty rritet edhe interesimi për një ndikim më të madh rus pasi është naive të pritet që Rusia heq dorë nga Ballkani përderisa të ketë mundësi dhe përderisa Serbia nuk i vendosë sanksione Moskës”.
Sipas tij, nëse arrihet një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë me garancinë e fuqive perëndimore, atëherë vetë hapësira e manovrimit dhe e interesave qoftë ruse apo edhe të shteteve të tjera që kanë ndikim do të bie automatikisht.
Mendim të ngjashëm ndan edhe ligjëruesi i gazetarisë Dren Gërguri. Ai thekson për Klankosova.tv se televizioni rus shërben si altoparlant propagandues i qeverisë ruse.
“RT është një nga mediet e pezulluara nga Bashkimi Evropian për arsye se është parë si instrument propagande i qeverisë ruse. Rrjedhimisht, ky televizion do të përpiqet ta rrisë ndikimin rus në Ballkan, duke shtyrë përpara agjenda pro-ruse. RT operon edhe në gjuhë të tjera, çka mundëson që përmbajtja e njëjtë të shpërndahet njëkohësisht edhe në gjuhë të tjera dhe të targetojë publik të shteteve të ndryshme”.
Sipas Gërgurit, Russia Today do të përpiqet të ndikojë në krijimin e bindjeve të caktuara në shoqërinë serbe, të cilat mund të jenë të dëmshme për procesin e normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi
“Është faktike se RT është altoparlant propagandues i qeverisë ruse dhe ne jemi të vetëdijshëm për qëndrimin rus karshi çështjes së Kosovës. Rrjedhimisht, RT-ja do të përpiqet të ndikojë në krijimin e bindjeve të caktuara në shoqërinë serbe, të cilat mund të jenë të dëmshme për procesin e normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi”.
“Nëpërmjet RT-së mund të forcohen narrativa që do të vazhdojnë ta sulmojnë shtetësinë e Kosovës, siç e tregon edhe vetë mesazhi i kryeredaktores së RT-së, Simonyan”.
Kujtojmë se kryeredaktorja e këtij mediumi përmes një shkrimi në Twitter, njoftoi se kjo media ka nisur punën në Ballkan, duke thënë se “Kosova është Serbi”.