- Reklama -

A do të duhej qeveria ta publikonte planin franko-gjerman? Flasin profesorët e gazetarisë

Publikimi i planit franko-gjerman prej nëntë pikash, që është propozuar në kuadër të procesit të dialogut Kosovë-Serbi, ishte kryetema e ditës së djeshme.

Në ballinat e mediave kosovare vendin kryesor e zuri lajmi i publikuar fillimisht nga mediumi “Euractiv”.

- Reklama -

Në atë dokument, në njërën prej pikave, thuhej se “Prishtina dhe Beogradi duhet të kenë marrëdhënie të mirë të fqinjësisë dhe të barabarta”. Po ashtu, në një pikë tjetër thuhej se “të dyja palët çdo mosmarrëveshje duhet ta zgjidhin në bazë të Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim”.

Ndonëse diskutimet për këtë propozim franko-gjerman kanë nisur kohë më parë në opinion, krerët shtetërorë ishin fjalëpak rreth tij, teksa interesimi i gazetarëve vendorë dhe i mediave ishte shumë i madh.

Gazmend Syla vlerëson se në rastin e propozimit franko-gjerman dështoi lidershipi i vendit, por edhe gazetarët.

“Në këtë rast nuk kemi të bëjmë me të drejta ose padrejtësi ndaj gazetarëve. Gazetarët duhet t’i marrin lajmet kahdo që munden. Mendoj që në rastin e planit franko-gjerman dështoi lidershipi i vendit, e po ashtu edhe gazetarët. Të parët që mohuan ekzistencën e planit dhe nuk ishin transparentë në lidhje me të, ndërsa të dytët, gazetarët, që nuk e kryen punën e tyre për ta gjetur këtë plan nga ndonjë burim tjetër përtej lidershipit kosovar”, deklaroi gazetari Syla.

Profesori i gazetarisë vlerëson se krerët institucionalë do të kuptonin pëlqimin e qytetarëve për këtë propozim.

“Nga këndvështrimi i tyre mund të kenë menduar se kanë bërë mirë, mbase me idenë se nxjerrja e planit në publik mund ta dëmtojë pozicionin e Kosovës në negocim. Si gazetar që jam, mendoj se ky plan do të duhej t’i tregohej publikut, në mënyrë që qytetarët ta dinë se për çfarë bëhet fjalë. Duke e bërë publik planin, lidershipi do ta krijonte idenë se cili është pëlqimi ose mospëlqimi i qytetarëve për atë plan. Kjo mandej do t’u hynte shumë në punë politikanëve për ta refuzuar ose shtyrë përpara planin në fjalë, duke u bazuar në gjetjet e matjeve të opinionit publik për planin”.

“Qeveria dhe pushteti duhet ta kenë një strategji se si të veprohet në këso rastesh – a është mirë apo jo të bëhet publik një plan. Por, duke e ditur se plani nuk është i tyre, por i huaj, nuk ka qenë keq të përcillet disi përvidhshëm në opinion. Transparenca është gjithmonë e mirë. Dhe, unë e di një gjë: gazetarët do të donin të dinin gjithçka dhe të publikojnë gjithçka, qoftë edhe një plan të mirë ose të keq franko-gjerman për Kosovën”, tha Syla për Klankosova.tv.

Edhe profesori tjetër i gazetarisë, Milazim Krasniqi, vlerëson se qeveria duhet të jetë më e hapur me publikun, rrjedhimisht edhe me gazetarët, për procese të rëndësishme për vendin.

Megjithatë, ai ka dyshimet e tij se drafti i fundit i publikuar në media mund të mos jetë finali.

“Në parim qeveria duhet të jetë më e hapur ndaj publikut dhe rrjedhimisht edhe ndaj gazetarëve. Fatkeqësisht qeveria jonë nuk është e hapur mjaftueshëm, por në rastin konkret nuk jam shumë i sigurt që drafti që është publikuar është ai i vërteti dhe nëse nuk është – është krejtësisht e natyrshme që qeveria ka komentuar një draft që nuk është i vërtetë”.

“E vërteta është që kjo qeveri është e mbyllur hermetikisht dhe është totalisht pa nevojë e tillë sepse qeveria do të duhej të ishte sa më e hapur dhe sa më afër shqetësimeve që ka publiku për ngjarjet që ndodhin. Ka një situatë që çuditshme pasi Qeveria Kurti është shumë qeveri arrogante edhe tregohen shumë moskokëqarës si ndaj publikut si ndaj opozitës. Por, konsideroj që mënyra më e mirë për të ruajtur stabilitetin e një qeverie është të jetë transparente ndaj publikut”, tha Krasniqi.

Krasniqi për Klankosova.tv tha se Qeveria Kurti ka zgjedhur metodën e komunikimit arrogant. Madje, ai e krahason komunikimin e qeverisë sonë me atë të Shqipërisë dhe të Serbisë.

“Kurti dhe ministrat e tij duket se janë infektuar nga mënyra e komunikimit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në të qenit arrogantë, të mbyllur madje edhe fyes e kërcënues ndaj gazetarëve. Edhe pse një mënyrë e keqe e politikbërjes, kjo s’është diçka e re në Ballkan, dhe kjo që po shohim me Qeverinë Kurti është absolutisht diçka e gabuar”, u shpreh Krasniqi për Klankosova.tv.

Ndërkaq, Rrahman Paçarizi, po ashtu profesor i gazetarisë në UP, thotë se edhe Kosova edhe Serbia kanë marrë sugjerime që të mos bëjnë publike asgjë rreth këtij plani deri në një moment të përshtatshëm nga autorët e tij.

“Meqë autorësia e planit është franceze dhe gjermane, është pothuajse normale që ky plan sado që ka të bëjë me Kosovën, të publikohet nga një medie evropiane. Kur e them këtë e kam parasysh faktin që palët, Kosova dhe Serbia, janë sugjeruar që të mos japin detaje të planit për publikim, deri në momentin kur autorët e tij të vlerësojnë të përshtatshëm momentin për bërjen e tij publike”, tha Paçarizi.

Por, Paçarizi për Klankosova.tv thotë se Qeveria kishte një formë tjetër për të informuar gazetarët për këtë draft.

“Në anën tjetër, qeveria dhe aktorët e tjerë kanë mundur të japin informacion të dozuar lidhur me planin në takime me drejtues mediesh, kryeredaktorë a gazetarë të specializuar, në mënyrën që të testohen pohime të caktuara të vetë planit, që të merren inpute për sjelljen e mëtejshme në raport me atë plan a kornizë marrëveshjeje”.

“Në këtë kuptim qeveria do të duhej të kishte qenë më transparente, pa e rreziku procesin si të tillë”, u shpreh Paçarizi.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ditë më parë tha se iniciativa franko-gjermane ka për qëllim intensifikimin e dialogut.

“Shumë çështje kanë qenë të planifikuara që të trajtohen veç e veç në marrëveshje të ndara dhe do të mund të merrnin vite të tëra. Ideja është që të gjitha ato çështje të grupohen në një dokument të vetëm dhe që në mënyrë intensive të tejkalohen dallimet”, ka thënë Osmani.

Mes tjerash, sipas Osmanit, “qëllimi i partnerëve” të Kosovës është që procesi të përfundojë sa më shpejt.

“Asnjëherë, askush nga partnerët nuk ka kërkuar nga Kosova që të hiqet dorë nga njohja reciproke”, tha Osmani.

Ndërsa kryeministri Albin Kurti, ditë më parë, këtë propozim e konsideroi si hap të duhur, duke thënë se nuk e ka refuzuar këtë plan veçse i ka përcjellë vërejtjet e tij.

“Unë e kam vlerësuar këtë propozim si hap në drejtimin e duhur. Korniza e përgjithshme e marrëveshjes ka qenë pika e parë më 18 gusht në Bruksel. Deri më tani kemi pasur dialog për proces, por jo për marrëveshje. Më 9 shtator, ende pa u bërë një muaj, patën ardhur në zyrën time këtu e më pas shkuan në Beograd këshilltarët e lartë të presidentit Macron dhe kancelarit gjerman. Pra ata kanë sjellë përmbledhje të ideve, të modeleve, të cilat unë nuk i kam refuzuar, por janë bazë e mirë. Unë i kam vërejtjet e mia, por nuk e kam kundërshtuar atë propozim. Por në Beograd i thanë jo, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së tyre”, u shpreh Kurti.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë një vizite në Kosovë, muajin e kaluar, tha se ShBA-ja e mbështet plotësisht propozimin franko-gjerman për një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ne do ta mbështesim këtë. Ne mendojmë, se sikurse na është shpjeguar, ky propozim do të nënkuptonte angazhim dhe integrim më të afërt të Kosovës, dhe potencialisht Serbisë, në integrimet euro-atlantike. Po, e mbështesim plotësisht. Dhe, më duhet të shtoj se ne gjithmonë e kemi përkrahur njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran dhe do ta mirëprisnim në OKB dhe në të gjitha strukturat tjera evropiane”, pati thënë Escobari më 10 tetor gjatë qëndrimit të tij në Kosovë.

Propozimi franko-gjerman ishte edhe arsyeja që në më pak se 10 ditë erdhi tri herë në Prishtinë, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, teksa këtë e tha edhe vetë.

“Propozimi franko-gjerman është arsyeja përse jam këtu çdo javë, shpresoj që ta kuptoni se nuk e ndihmon procesin nëse flas për detaje. Kishim një diskutim konstruktiv, këto janë çështje të ndjeshme dhe jam në kontakt të vazhdueshëm me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq. Duam po ashtu, të sigurohemi se kemi progres në procesin e normalizimit të marrëdhënieve dhe të mos ketë tensionim dhe dhunë”.

“Kemi diskutuar edhe për afatin e targave, por ky është vendim i kryeministrit Kurti. Për marrëveshjen me njohje reciproke duhet të vendosin Kosova dhe Serbia”, pati thënë Lajçak më 22 tetor gjatë vizitës në Prishtinë.

“Euractiv” ka publikuar nëntë pika të draft-dokumentit franko-gjerman që i gjeni më poshtë:

Neni 1

Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë marrëdhënie normale, të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën bazuar në të drejta të barabarta.

Neni 2

Kosova dhe Serbia do të udhëhiqen nga aspiratat e përbashkëta drejt anëtarësimit në BE.

Neni 3

Në përputhje me MSA-në [Marrëveshjet e Stabilizim Asociimit] të nënshkruara nga të dyja palët, Kosova dhe Serbia do të zgjidhin çdo mosmarrëveshje me njëra-tjetrën ekskluzivisht me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimet ose përdorimi i forcës.

Ato riafirmojnë paprekshmërinë tani dhe në të ardhmen e kufirit që ekziston mes tyre dhe marrin përsipër të respektojnë plotësisht integritetin territorial të njëra-tjetrës.

Neni 4

Kosova dhe Serbia vazhdojnë me supozimin se asnjëra nga të dyja palët mund të përfaqësojë njëra-tjetrën në sferën ndërkombëtare dhe as të veprojë në emër të saj.

Neni 5

Kosova dhe Serbia do të promovojnë marrëdhënie paqësore në Ballkanin Perëndimor dhe do të kontribuojnë në sigurinë dhe bashkëpunimin rajonal në Evropë.

Neni 6

Kosova dhe Serbia vazhdojnë me respektimin reciprok të juridiksionit të secilës palë.

Neni 7

Kosova dhe Serbia deklarojnë gatishmërinë e tyre për të rregulluar çështjet praktike dhe humanitare në procesin e normalizimit të marrëdhënieve të tyre. Ato do të lidhin marrëveshje me synimin për të zhvilluar dhe promovuar në bazë të traktatit aktual dhe për përfitimin e tyre të ndërsjellë në bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit, marrëdhënieve gjyqësore, postës dhe telekomunikacionit, shëndetësisë, kulturës, sportit, mbrojtjes së mjedisit dhe në fusha të tjera. Detajet janë rënë dakord në protokollin plotësues.

Neni 8

Kosova dhe Serbia do të shkëmbejnë Misionet e Përhershme. Ato do të vendosen në selitë e qeverive përkatëse.

Çështjet praktike në lidhje me themelimin e misioneve do të dakordohen ndaras.

Neni 9

Kosova dhe Serbia pajtohen që ky traktat nuk do të ndikojë në traktatet dhe marrëveshjet ndërkombëtare dypalëshe dhe shumëpalëshe të nënshkruara tashmë prej tyre ose që kanë të bëjnë me to.

Në asnjërën nga këto pika nuk përmendet çështja e njohjes reciproke e as themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

- Reklama -
Klikoni Këtu për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Më të lexuarat

Fillojnë punimet për ndërtimin e rrethrrotullimit të ri në rrugën Tirana, pranë KFOR-it Turk

Komuna e Prizrenit ka njoftuar se të martën, më...

Vetaksident me fatalitet në dalje të autostradës në Prizren

Një person ka vdekur si pasojë e një vetaksidenti...

Drejtori i Administratës në Prizren, Edin Shehu, i jep fund beqarisë

Edin Shehu, një nga drejtorët më të rinj të...

Punime në rrjet, KEDS tregon se ku do të ketë ndërprerje të rrymës të premten

Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS)...

Dukuria e grisjes së Kuranit: Dënimi që e pret personin që e grisi Kuranin në Prizren, sipas ligjeve në Kosovë

Shkruan: Gent Gjini Në cilësinë time si avokat, angazhimi im...

Të ngjajshme

isim değiştirme

- mersin escort

isim değiştirme

- mersin escort