Drejtuesit e Komunës së Prizrenit kanë shprehur brengën se kjo komunë po diskriminohet nga Qeveria qendrore në aspektin e investimeve kapitale. Sipas tyre, kjo qasje po pamundëson edhe realizimin e projekteve të përbashkëta me ministritë që tash më janë të iniciuara.
Mirëpo opozitarët theksojnë se kjo është përpjekja e radhës e lidershipit komunal që fajësinë ta kërkojë diku tjetër për dështimet e veta dhe për paaftësinë në menaxhim.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka në takimin e fundit me qytetarët ka deklaruar se “Prizreni merr më së paku nga Qeveria në investime kapitale”.
“Qeveria në Gjakovë ka investuar mbi 120 euro për kokë banori, ndërsa në Prizren vitin e kaluar ose sivjet ka investuar 23 euro”, ka thënë Haskuka.
Sipas tij ka telashe edhe në zbatimin e projekteve të iniciuara në vitet e shkuara.
projektet që i kemi të përbashkëta ata zakonisht ose nuk i paguajnë ose i zvogëlojnë fondet. Tash për shembull, projektin e Pishinës Olimpike është e pamundur me përfundu me fondet e ndara nga qeveria, ngase për vitin e ardhshëm janë paraparë vetëm 100 mijë euro. Projekto në total kushton 2.6 milionë euro dhe nëse vazhdohet me këtë financim nga ministria na duhen 30 vite me përfundu këtë projekt”, ka deklaruar Haskuka.
Ai këtë shqetësim e ka ndarë javën e shkuar edhe në rrjetet sociale duke theksuar se investimet e qeverisë në Prizren, në vitin 2020 kanë qenë 20 fish më pak se në disa komuna.
“Nëse shikohen edhe komunat e mëdha, Prizreni është në fund të listës për investimet qeveritare, me vetëm 23 euro për kokë banori. Në anën tjetër në të gjitha komunat rajonale është investuar së paku dyfish më shumë, e në disa raste rreth 6-fish më shumë se në Prizren, si në rastin e Gjakovës me 123 euro për kokë banori. Buxheti i PAN-it kishte diskriminuar, por tani buxheti i ri po diskriminon edhe më shumë Komunën e Prizrenit”, ka shkruar Haskuka.
Ai ka shprehur qëndrimin se ministritë nuk kanë përkrahur projektet si: renovimi i tërësishëm i shtëpisë së kulturës “Xhemajli Berisha”; për Sheshin e Bazhdarhanes; pastaj projektin e tunelit apo urës nga qyteti për në luginën e Lumbardhit dhe në Prevallë; si dhe urën Krajk – Bregdri; apo kanalizimet në Tupec.
“Për më keq, buxheti për disa projekte, që do të duhej të finalizoheshin në vitin 2021, është shtyrë për vitet 2022 apo 2023”, ka shkruar ai, duke kërkuar eliminimin e këtyre praktikave.
Në anën tjetër këshilltari opozitar nga radhët e AAK-së, Ilir Baldedaj ka theksuar se Haskuka edhe kësaj here po e përsërit praktikën e ankesave dhe adresimit të fajit tjetërkund, në vend se të marrë përgjegjësinë për dështimet në qeverisjen lokale.
“Kryetari turist, tash e tri vite ka dëshmuar paaftësinë e tij në menaxhimin e buxhetit komunal, sepse buxhetin që i ndahet nga granti qeveritar nuk është në gjendje që ta shpenzoj, dhe si pasojë me miliona euro shkojnë në suficit”, është shprehur Baldedaj.
Kritika për suficitin nga granti qeveritar kanë adresuar vazhdimisht edhe subjektet tjera opozitare, PDK dhe LDK, që kanë akuzuar qeverisjen e VV-së në Prizren për mos realizim të buxhetit komunal.
Instituti GAP në fund të muajit dhjetor, ka publikuar raportin “Projektbuxheti 2021: favorizimet dhe diskriminimet e komunave në investime kapitale”, ku në përmbledhjen ekzekutive shkruan se komunat që do të përfitojnë më shumë nga buxheti i ministrive për investimet kapitale gjatë vitit 2021 janë Komuna e Gjakovës, Prishtinës, Deçanit dhe Mitrovicës, ndërkohë që komunat të cilat do të përfitojnë më shumë nga investimet e reja kapitale në vitin 2021 janë Komuna e Gjakovës, Mitrovicës, Klinës dhe Deçanit.
“Sa i përket përqindjes së investimeve krahas popullsisë, komunat e qeverisura nga LDK janë diskriminuar kurse komunat të cilat menaxhohen nga AAK janë favorizuar. Ndërsa, në komunat e qeverisura nga subjektet tjera politike nuk vërehet diskriminim i madh pozitiv apo negativ”, shkruan aty.
Sipas të dhënave të publikuara në këtë raport Prizreni përfiton 23.76 euro për kokë banori nga investimet e ministrive në komuna, ndërsa Gjakova 123 euro, Mitrovica 108 euro, Gjilani 79 euro, Ferizaj 64 euro, Peja 58 euro dhe Prishtina 43 euro./KOHA/