Kancelari gjerman Olaf Scholz ka thënë se me tri marrëveshjet që do të nënshkruhen sot, do të bëhen tri hapa të mëdhenj e lehtësojnë jetët e qytetarëve.
Marrëveshjet do të jenë për njohjen e ndërsjellë të letërnjoftimeve, diplomave e kualifikimit profesional.
“Sot po bëni tre hapa madhor në këtë rrugëtim duke nënshkruar tri marrëveshje tejet të rëndësishme. Tregu i përbashkët rajonal do të nxisë ekonominë dhe investimet në rajonin tuaj, marrëveshjet do t’i mundësojnë qytetarëve tuaj që të kalojnë kufijtë vetëm me letërnjoftime dhe do të sigurohemi që studentët nga Sarajeva të plotësojnë studimet e tyre në Beograd, apo arkitektët nga Tirana të marrin një vend pune në Shkup. Kjo ju përafron me standardet evropiane”, tha kancelari gjerman.
Scholz po ashtu ka folur për dialogun Kosovë – Serbi.
“Koha është të tejkalojmë konfliktet rajonale, që ju mbajnë të përçarë gjatë. Procesi i normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përshpejtohet, posaçërisht që të prodhojë rezultate. Qytetarët e Ballkanit Perëndimor mund të llogarisin te Gjermania e të llogarisin në Procesin e Berlinit”, ka thënë Scholz.