Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, thotë se kërkesa për zëvendësimin e targave ilegale të makinave, që Serbia i lëshon për qytetarët e Kosovës, nuk mund të shihet më si çështje e negociueshme në dialogun Kosovë-Serbi.
“Kërkesa për shtyrje për 10 muaj ka ardhur si një lloj korrigjimi i kërkesës së Mirosllav Lajçakut (të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun) që implementimi të bëhet për 12 muaj. Ne, meqë vetëm kemi pasur një periudhë dymujore që e kemi zbatuar, ata kanë kërkuar që kësaj t’i shtohen edhe 10 muaj. Unë mendoj që kjo ka si bazë një interpretim të gabuar të zyrës së Lajçakut mbi implikimet që rrjedhin nga marrëveshja e vitit 2016”, ka thënë Bislimi.
“Në vitin 2016 ka pasur një dakordim që nga janari i vitit 2017 deri në janar të vitit 2018 të hapet një dritare e ngjashme me dritaren e tanishme. Mirëpo, ajo dritare është hapur dhe është mbyllur. Do të thotë, ky provizion i marrëveshjes së vitit 2016 është konsumuar në tërësi dhe rrjedhimisht çfarëdo reference në atë marrëveshje është e pabazë. Por, duke qenë se jo të gjithë aktorët ndërkombëtarë i posedojnë të gjitha informatat dhe të gjitha detajet e marrëveshjeve të kaluara, ka pasur një bindje që propozimi ia vlen të merret me seriozitet”.
“Ne e kemi marrë me seriozitet këtë kërkesë, por kemi menduar që brenda këtyre parametrave, përgjigjja më e mirë është që t’i përshkallëzojmë masat dhe jo të shkojmë me intervenim të menjëhershëm pas datës 1 nëntor, meqë në këtë mënyrë më së miri u përgjigjemi sfidave, të cilat na kanë detyruar t’i shtyjmë masat deri më 21 prill. Por, edhe vetë data e 21 prillit e ka një arsye, meqë dakordimi i shtatorit të vitit 2021 ka qenë që Brukseli para datës 21 prill, 2022, t’i ndihmojë të dyja palët në prodhimin e një marrëveshjeje të përhershme rreth targave dhe atë sipas standardeve dhe praktikave më të mira të BE-së”.
“Meqë Brukseli ka dështuar në arritjen e kësaj marrëveshjeje, tanimë ne mendojmë që diskutimi për targat nuk është më pjesë e procesit të dialogut në Bruksel. Është vetëm një fazë e implementimit të vendimeve të shtetit të Kosovës. Prandaj, edhe në këtë kontekst, mendoj që ka qenë gabim involvimi i z.Lajçak dhe dhënia e rekomandimeve nga ana e tij. Jo vetëm që ka qenë gabim, por ndoshta edhe ka prodhuar efekte anësore të gabueshme”.
Bislimi thotë se pret që zbatimi i vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e këtyre makinave me targa të Kosovës, të shkojë mirë, pa pasur nevojë për gjobitjen e qytetarëve.
Zbatimi i planit të Qeverisë ka nisur më 1 nëntor dhe do të bëhet në tri faza. E para përfshin qortimin e qytetarëve, e dyta shqiptimin e gjobave dhe e treta targat provuese.