Shumë të rinj shqiptarë zgjedhin migrimin duke synuar krijimin e kushteve më të mira për jetesë.
Si destinacon i preferuar për shqiptarët është Britania e Madhe.
Por, shumë të rinj shqiptarë vetëm pas tre ditësh kur mbërrijnë rekrutohen nga bosët e drogës për të punuar në “shtëpitë e kanabisit”.
Gazeta prestigjioze britanike “Daily Mail”, i ka kushtuar një artikull kësaj çështje.
Në artikullin e gazetës specifikohet se të rinjtë rreth moshës 20-vjeçare, punojnë për të paguar borxhet ndaj kontrabandistëve kurdë.
Zakonisht çmimi i sjelljes në ishull sillet rreth 5 mijë paund (5 mijë e 799 euro).
Ministria e Drejtësisë në Britani të Madhe ka njoftuar se veç gjatë vitit të fundit shteti i ka shpenzuar 1.2 milionë paund apo mbi (1 milionë e 390 mijë euro) për të paguar përkthyes shqiptarë që t’iu shpjegojnë të dyshuarve procedurat ligjore.
Njësoj edhe numri i të burgosurve në Angli dhe Uells është rritur, nga 726 në 1 mijë e 500.
Gazeta sjell edhe rrëfimin e një migranti shqiptar për mediumin shqiptar A2 CNN.
Ai tha se tre herë kishte dështuar që të kalonte nga malet e Francës në Angli.
“Pas tre përpjekjeve për të kaluar Kanalin u ndaluam nga autoritetet, të cilët i shpuan varkat me fryrje që kishim planifikuar t’i përdornim”.
“Teksa bëmë përpjekjen e katërt, u shpëtova nga roja bregdetare e Mbretërisë së Bashkuar, pasi gomonës iu harxhua benzina” – tha ai.
“Ne jemi mbajtur tre ditë në një qendër paraburgimi. Më pas jemi transferuar në një hotel. Unë arrita që të flas me të afërmin tim që erdhi dhe më mori nga hoteli”.
“Unë jam duke punuar në një shtëpi kanabisi për të paguar paratë që kam marrë hua për ta paguar udhëtimin” – theksoi ai.