Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se çështja e liberalizimit të vizave do të përmbyllej në vitin 2016 nëse atëherë ratifikohej marrëveshja e kufirit me Malin e Zi.
Në një intervistë për Ekonomia Online, ai ka thënë se në atë kohë ka munguar vullneti politik për ta fituar liberalizimin e vizave.
Sipas Mustafës, kriteret e reja të vendosura nga Franca kanë qenë të pritshme, për faktin se ka humbur momentumi.
“Në fakt as demarkacioni nuk ka qenë kusht që e kanë pasur vendet tjera, mirëpo është shfrytëzuar rasti meqenëse është parë interesi i përgjithshëm jo vetëm i Kosovës por edhe i stabilitetit në rajon, që Mali i Zi të bëhet anëtare e NATO-s dhe nuk ishte preferencë që një shtet të bëhet anëtar i NATO-s nëse nuk i ka rregulluar të gjitha çështjet kufitare me fqinjët, prandaj ka qenë ajo kërkesë që ta bëjmë ratifikimin e marrëveshjes dhe ta marrim liberalizimin”, ka thënë Mustafa.
“Kemi mundur ta marrim në vitin 2016, nuk ka pasur vullnet politik nga opozita i cili po shihet edhe tani, dhe jemi dëmtuar atëherë. Tani ka qenë e pritshme që nëse futemi në këtë fazë do të kemi probleme”.
Mustafa ka shtuar se liberalizimi i vizave po kushtëzohet me marrëveshjen finale Kosovë-Serbi.
“Tani kemi ardhur në atë situatë në të cilën na u është tërhequr vërejtja edhe atëherë dhe jemi paralajmëruar se nëse nuk e bëjmë punën në vitin 2016 dhe futemi në zonën e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian dhe të zgjedhjeve të disa shteteve tjera, do të kemi probleme. Tani kjo çështje është hapur, ka qenë e pritshme të hapet sepse jemi në fazën e dialogut dhe tani po shfrytëzohet dialogu për të kushtëzuar sipas meje liberalizimin e vizave me kushtet e reja. Është jokorrekte sepse Kosova i ka përmbushur të gjitha marrëveshjet me ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, dhe unë pres që në këtë formë do të kushtëzohemi edhe më tutje përderisa nuk bëhet një marrëveshje”, u shpreh Mustafa.
Mustafa ka thënë se edhe vetë qytetarët duhet t’i bartin pasojat, pasi sipas tij me votën e tyre i kanë sjellë në pushtet kundërshtuesit e liberalizimit të vizave.
“…qytetarët ua kanë dhënë votën atyre që atëherë e kanë penguar liberalizimin e vizave, atyre që kanë sjellë gaz lotsjellës, bomba molotovi etj, pra qytetarët janë solidarizuar me veprimet e tilla me vetë faktin se i kanë votuar. Prandaj edhe ne si qytetarë duhet t’i bartim pasojat e ndërgjegjes sonë dhe të sjelljes tonë. Është keq, edhe për mua nuk është e kënaqshme që po e them këtë, mirëpo vërtetë kemi ardhur në një situatë që ne tani po i paguajmë dëmin që iu është shkaktuar vendit më përpara”, u shpreh ai./ EO