Sipas tij, hezitimi për t’i regjistruar veturat ilegale, është çështje politike.
“Po besoj që është çështje politike, kryekëput politike, edhe me direktiva të qeverisë serbe. Në dukje të parë duket se është çështje teknike e konvertimit të tabelave, por ata, pala tjetër do të thotë po e vlerësojnë që kjo ka të bëjë me njohjen e shtetësisë së Kosovës, dhe po besoj që përkundër vullnetit të qytetarëve që mund të kenë interes për ta regjistruar veturën si çdo qytetarë normal i këtij vendi”, u shpreh për Front Online zëvendësministri Hoxha.
Përveç kësaj, Hoxha thotë se është edhe presioni nga Serbia për serbët lokalë në Republikën e Kosovës.
“Ata kanë presion dhe pastaj është e pamundur dhe janë të paguximshëm për me ndërmarrë një veprim të tillë, siç është konvertimi i tabelave, sepse besoj si njohës i rrethanave të sigurisë, do të frikësoheshin nga ndonjë veprim i strukturave paralele”, tha Hoxha për Front Online.
Qeveria e Kosovës ka shtyrë një herë zbatimin e vendimit për targat për 30 ditë, pra deri më 31 tetor.
Kosova dhe Serbia më 27 gusht kanë arritur marrëveshje për heqjen dorë nga lëshimi i dokumenteve për hyrje-dalje për shtetasit e dy shteteve, por jo edhe për targat.