Derisa Evropa është duke u përballur me rënie të konsiderueshme të natalitetit, Kosova vazhdon të ketë ende një trend të uljes së lehtë, por që në rrethanat social-ekonomike, vendi nuk mund të marrë këtë fakt si të mirëqenë. Gratë vazhdojnë të jenë të diskriminuara në vend të punës për shkak që ligji u jep të drejtë të pushimit të lehonisë me pagesë, e kjo po konsiderohet barrë financiare për bizneset.
Donjeta Maloku tregon për vështirësitë për të siguruar punë që ta mbaj familjen gjallë. Ajo jeton në Fushë-Kosovë bashkë me 3 vajzat dhe burrin e saj. Ata jetojnë vetëm nga të hyrat që i siguron bashkëshorti i saj.
Maloku tregon se dy herë i është refuzuar punësimi në një institucion mikrofinanciar edhe pse kishte kaluar të gjitha testet. Ajo thotë se ishte refuzuar, kur punëdhënësi e kishte kuptuar se Donjeta po priste një fëmijë.
“Isha shtatzënë në fillim dhe u tregova shumë e sinqertë, e kalova testin me shkrim, me erdh e-maili që jam e përzgjedhur dhe shkova në intervistë, nga zyra ndërlidhëse më thanë mos trego, por unë tregova. Edhe direkt më tha, jo me vjen shumë keq, neve nuk na konvenon ty me të trajnuar, me të paguar edhe në fund t’i me shkuar në pushim të lehonisë. Edhe herën e dytë më ka ndodh e njëjta. Për këtë shkak të shtatzënisë, më thanë nuk je në listë”, tha Maloku.
Ajo tashmë ka hequr dorë nga ëndrra për të punuar në bankë dhe në profesionin e saj, por nuk heq dorë të sigurojë ekzistencën, si të mundet për fëmijët e saj. Donjeta thotë se për t’i ofruar kushte sado pak të mira fëmijëve të saj, është detyruar të punojë në një dyqan ushqimor, krejtësisht jashtë profesionit.
Sikur Donjeta, janë edhe shumë gra të tjera në Kosovë. Vetëm gjatë viti 2021, mbi 1 mijë e 500 gra janë larguar nga vendi i punës për shkak të shtatzënisë, thotë një analizë e organizatës “Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist.”
Agjencia e Statistikave të Kosovës, dhe Administrata Tatimore e Kosovës, kanë konfirmuar për Radio Kosovën se nuk kanë ndonjë hulumtim që përfshinë gratë në marrëdhënie punë në kompani të ndryshme në Kosovë, e që janë larguar nga puna për këtë arsye.
Ndërkohë, Inspektorati i Punës, në një përgjigje për Radio Kosovën ka theksuar se operojnë me një numër të vogël të inspektorëve në treg. Kryeinspektori, Hekuran Nikçi ka konfirmuar se aktualisht operojnë vetëm me 35 inspektorë, që është jashtëzakonisht numër i vogël për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve.
Gjendja më e rënduar është në sektorin privat, ku shumica e bizneseve i shtyjnë femrat të zgjedhin punën apo fëmijën. Këtë e konfirmon për Radio Kosovën, Jusuf Azemi nga Sindikata e Sektorit Privat të Kosovës.
“Në momentin kur pronarët e kompanive e vërtetojnë që punëtoret ju mbesin shtatzënë, atëherë me çdo kusht krijojnë mundësi që ta largojnë prej punës, me apo pa kontratë. Në shumicën e rasteve, fatkeqësisht e humb të drejtën e punësimit dhe kjo normal që ndikon negativisht edhe te nataliteti i shoqërisë, në shumicën e rasteve, femrat duhet të zgjedhin punën ose lindje të fëmijës”, deklaroi Azemi.
Disa biznese që ka intervistuar Radio Kosova, nuk pranojnë të flasin publikisht për këtë dukuri. Por, jashtë mikrofonit, thonë se mbajtja në punë e një gruaje shtatzënë, i dëmton ata në mënyra të ndryshme, qoftë nga mungesa e fuqisë punëtore pastaj edhe në pagesat që parasheh Ligji për Pushimin e Lehonisë.
Avokati Anton Nrecaj nga Qendra për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Regjional, ka trajtuar raste, të cilat, siç thotë ai, ndodhin për shkak të pasigurisë ligjore, që bizneset e kanë në raport me gratë.
“Ne kemi pasur raste të tilla, raste këto që kanë përfunduar me një proces të gjatë gjyqësor, proces që ka qenë shumë i mundimshëm.
Në sektorin privat fatkeqësisht në momentin kur punësohesh, ose intervistohet një grua, një prej pyetjeve që parashtrojnë punëdhënësit është: a keni familje apo planifikoni familje, nëse përgjigja është po, atëherë 90 për qind të këtyre rasteve nuk janë punësuar. Institucionet nuk janë të informuara për këtë fenomen dhe fatkeqësisht nuk janë duke marr iniciativa që të ketë një strategji për siguri për punësim në sektorin privat”, shtoi Nrecaj.
Sociologia Rina Brahimi thotë se dinamika politike, ka lënë anash problemet me të cilat përballen gratë në Kosovë.
“Nuk ka pas angazhim institucional për zgjidhjen e këtyre rasteve. Kjo na çon në një situatë e cila po vazhdon tash e disa vite, gratë shtatzëna, hasin në disa prej këtyre problemeve që largohen prej punës apo nuk munden me qenë profesionalisht të angazhuara në disa vende të punës. Edhe sot kemi shumë raste të grave të cilat punojnë në vende të punës e që nuk kanë kontratë të punës dhe këto nuk kanë as ku të larmohen”, tha Brahimi.
Kushtet e rënda ekonomike, janë arsyet që kanë ndikuar në rënien e natalitetit në Kosovë. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, Kosova në vitin 2019 ka regjistruar 21 mijë e 798 lindje të gjalla ndërsa në vitin 2020, 18 mijë e 188 lindje. Rritje ka pasur vetëm vitin e kaluar, kur janë regjistruar 28 mijë e 549 lindje, ndërsa vetëm në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, janë shënuar 4 mijë e 379 lindje.
Kjo situatë është shumë më komplekse se sa duket dhe atë e rëndojnë faktorë shumëdimensionalë. Për këtë arsye, duhet që institucionet të koordinojnë dhe të zgjidhin problemet që kanë të bëjnë me këtë fenomen. Deri atëherë, gratë e reja do të gjenden në mes krizës për të krijuar familje për shkak të arsyeve ekonomike, apo për të mbajtur edhe një vend pune, të njëjtën kohë. /radiokosova