Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka kërkuar nga Austria vazhdimin e mbështetjes për liberalizimin e vizave në një takim me kryetarin e Parlamentit të Landit të Austrisë së Ulët i cili shoqërohej nga nënkryetari i parë, Karl Moser dhe deputetët Rene Pfister e Dieter Dorner.
“Konjufca shprehu mirënjohje për mbështetjen të cilën Austria i ka dhënë Kosovës në të gjitha fazat e shtetndërtimit dhe zhvillimit të saj, duke theksuar nevojën e vazhdimit të mbështetjes për liberalizimin e vizave, proceset e integrimit në BE dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.
Përmes një komunikate për media dërguar nga Kuvendi i Kosovës, gjatë takimit u vlerësuan raportet e mira dhe partneriteti i fuqishëm midis Austrisë dhe Kosovës.
Po ashtu u shpreh gatishmëria për avancimin e bashkëpunimit, shkëmbimin e praktikave parlamentare dhe fuqizimin e mëtejmë të miqësisë mes dy shteteve.
