Kosova po e përfundon vitin 2020 ashtu siç e nisi, me Qeveri në detyrë. Gjatë këtij viti, Kosova pati tre shefa të ekzekutivit. Ramush Haradinaj ishte kryeministër në detyrë, deri në shkurt kur u zgjodh Albin Kurti, për të vazhduar më pas në qershor me Avdullah Hotin, qeverinë e të cilit Gjykata Kushtetuese e shpalli antikushtetuese, shkruan Gazeta Express
Negociatat ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje e cila doli e para në zgjedhjet e 6 tetorit të 2019’ës, me partinë e dytë, Lidhjen Demokratike të Kosovës, për të formuar Qeverinë e re zgjatën 119 ditë.
Më 2 shkurt u finalizua marrëveshja për koalicion ndërmjet këtyre dy partive, e cila një ditë më pas, mblodhi Kuvendin për të votuar Qeverinë e re.
Kuvendi i Kosovës më 3 shkurt mbajti seancë të jashtëzakonshme, në të cilën në bazë të marrëveshjes së koalicionit, Vjosa Osmani u zgjodh kryetare e Kuvendit, pozitë të cilën nga 26 dhjetori i 2019’tës, po e mbante Glauk Konjufca i Vetëvendosjes.
Të njëjtën ditë, me 66 vota për, deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan Qeverinë e re. Në krye të saj ishte Albin Kurti, i cili për herë të parë po merrte në duar udhëheqjen e shtetit.
Në kohën kur dukej se shteti po kthehej në “binarë”, skena politike trazoi ujërat përsëri.
Derisa vendi po përballej me pandeminë, kryeministri Kurti shkarkoi nga detyra ministrin e Punëve të Brendshme që vinte nga radhët e LDK’së, Agim Veliun.
Shkarkimi i Veliut erdhi pas një deklarate të tij në mesnatë, i cili tha se pajtohet me Presidentin Hashim Thaçi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.
E ky veprim i Kurtit, trazoi tundi themelet ndërmjet partisë së tij dhe partnerit të koalicionit, LDK’së.
LDK mori vendimin për dalje nga koalicioni, pasi sipas kësaj partie, Albin Kurti kishte shkelur marrëveshjen që kishin nënshkruar.
Arsye tjetër për prishje të koalicionit, LDK tha se ishte heqja e taksës 100 për qind ndaj mallrave me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercogovina, dhe zëvendësimi i saj me reciprocitet.
LDK kërkonte që taksa të hiqej pa kushte, pasi kjo ishte kërkesë edhe e partnerëve ndërkombëtarë.
Partia e Mustafës inicioi mocion mosbesimi, ndaj Qeverisë në të cilën kishte katër ministra dhe një zëvendëskryeministër.
Pas mocionit të LDK’së, Albin Kurti ia shkarkoi në mesnatë tashmë ish-partnerit të koalicionit edhe Avdullah Hotin, nga pozita e zëvendëskryeministrit.
Kosova tashmë po hynte edhe në një krizë tjetër politike.
Më 25 mars, me 82 vota për, 32 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë Kurti.
Tashmë, Qeveria Kurti ishte në detyrë, deri në zgjedhjen e një Qeverie të re.
Më 3 qershor, deputetët e Kuvendit të Kosovës me 61 vota për, 24 kundër dhe një abstenim votuan Qeverinë.
Avdullah Hoti u zgjodh kryeministri i tetë i Kosovës.
Zgjedhja e tij në krye të ekzekutivit, zgjoi telashe edhe brenda partisë. Vjosa Osmani ishte kundër Qeverisë, ndërkaq kjo i kushtoi edhe me largim nga të gjitha pozitat udhëheqëse në parti.
Pas shtatë muajsh qeverisje, Gjykata Kushtetuese e Kosovës doli me vendim se zgjedhja e Qeverisë Hoti ishte antikushtetuese, për shkak të votës së deputetit Etem Arifi.
Kushtetuesja i dha të drejtë Vetëvendosjes në ankesën e bërë për interpretim të votës së Etem Arifit, i cili ishte i dënuar me vendim të prerë të Gjykatës.
Vota e deputetit Arifi ishte vota e 61 që ia mundësoi Avdullah Hotit të zgjidhet kryeministër i Kosovës.
Pas këtij vendimi, vendi do të shkojë në zgjedhje, jo më larg se 40 ditë pas publikimit të aktgjykimit të plotë të vendimit të Kushtetueses.
Me tre kryeministra, Kosova po e përfundon vitin 2020 ashtu siç e nisi, me Qeveri në detyrë./gazetaexpress