OJQ “EC Ma Ndryshe” në Prizren, përmes një komunikate për media ka folur për rezultatet e dalura nga raportet e anketave të ndryshme lidhur me njohurinë e qytetarëve të Kosovës rreth të drejtave të tyre për të jetuar në një mjedis të shëndetshëm.
Tutje “EC Ma Ndryshe” ka theksuar se pavarësisht aktiviteteve që kanë ndërmarrë si organizatë në bashkëpunim me përfaqësues të tjerë të shoqërisë civile mbi ndërgjegjësimin e komuniteteve të ndryshme brenda Kosovës që të veprojnë si agjentë të ndryshimit në raport me sfidat mjedisore dhe ato të ndryshimeve klimatike, mungesa e përkrahjes dhe përkushtimit politik lidhur me sektorin e mjedisit ka bërë që Kosova të vazhdojë të ketë kapacitete të dobëta institucionale, profesionale e financiare për trajtimin e shumë sfidave mjedisore, sipas tyre.
Ata kanë bërë thirrje që në linjë me rekomandimet e BE-së, të trajtohen me prioritet çështjet mjedisore në Kosovë duke përfshirë këtu edhe përpjekjet për ndërgjegjësim të qytetarëve për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit, sikurse edhe për të avancuar njohuritë e tyre lidhur me të drejtat për të jetuar në një mjedis të shëndetshëm dhe më të pastër.
Komunikata e plotë:
“Kushtetuta e Kosovës ofron të drejta lidhur me mjedisin, si e drejta për një mjedis të shëndetshëm. Këto të drejta mund të interpretohen dhe zbatohen përmes legjislacionit dhe mekanizmave ligjorë. Por njohuritë e qytetarëve lidhur me këto të drejta janë të kufizuara.
Të dhënat e Përmbledhjes së Pulsit Publik XXVI të publikuar nga UNDP-ja (https://bit.ly/3ëuAOUq), tregojnë se mjedisi nga qytetarët është radhitur ndër pesë problemet kryesore në Kosovë, përfshirë këtu ndotjen e ajrit, mbledhjen e mbeturinave, degradimin e lumenjve dhe degradimin e tokës.
Paraprakisht, të dhënat e Përmbledhjes së Pulsit Publik XXIV të publikuar nga UNDP-ja (https://bit.ly/3ëIVBFb) në prill të vitit të shkuar patën vënë në pah faktin se qytetarët e anketuar lidhur me njohuritë e tyre për të drejtat për të jetuar në një mjedis të shëndetshëm dhe më të pastër kanë pak njohuri ose njohuri mesatare për këto çështje.
“Kur u pyetën për të drejtën e tyre për të jetuar në një mjedis të shëndetshëm dhe të pastër, gjithsej 14.5% e të anketuarve pohuan se nuk kanë njohuri për këtë temë… Gjithsej 38.3% thanë se kishin pak njohuri për këtë temë, ndjekur nga 32.3% që kishin njohuri mesatare për këtë temë dhe 14.9% që kishin shumë njohuri për këtë temë”, thuhet në atë raport.
Të dhënat e zbërthyera në Përmbledhjen e Pulsit Publik XXIV sipas përkatësisë etnike tregojnë dallime të konsiderueshme mes komuniteteve të ndryshme në Kosovë në lidhje me vetëdijesimin e tyre për të drejtën për të jetuar në një mjedis të shëndetshëm dhe të pastër.
“Gjithsej 31.5% e pjesëtarëve të komuniteteve të tjera të Kosovës, 13.8% e serbëve të Kosovës dhe 14.7% e shqiptarëve të Kosovës deklaruan se nuk kanë njohuri për këtë çështje… Shqiptarët e Kosovës përfaqësonin pjesën më të madhe të të anketuarve që pohuan se kishin shumë njohuri për këtë temë me 16.1%, ndërsa vetëm 5% e pjesëtarëve të komuniteteve të tjera të Kosovës dhe 4.3% e serbëve të Kosovës e pohuan të njëjtën gjë”, shkruan në këtë përmbledhje.
Të anketuarit e pyetur edhe në lidhje me vetëdijesimin e tyre për kërcënimet e mundshme mjedisore ndaj shëndetit të tyre dhe të familjeve të tyre, ku gjithsej 18.8% e të anketuarve kanë pohuar se nuk kanë njohuri për këtë temë, teksa 41.6% e të anketuarve kanë pohuar se kanë pak njohuri për këtë temë, pastaj 33% thanë se kanë njohuri mesatare dhe 13.6% se kanë shumë njohuri për këtë temë.
“Të dhënat e zbërthyera sipas përkatësisë etnike treguan se ka dallime të dukshme ndërmjet komuniteteve kur pohojnë se nuk kanë njohuri për këtë temë. Teksa vetëm 18.4% e shqiptarëve të Kosovës pohuan se nuk kanë njohuri për kërcënime potenciale mjedisore ndaj shëndetit të tyre dhe të familjeve të tyre, 22.9% e serbëve të Kosovës dhe 38.5% e pjesëtarëve të komuniteteve të tjera të Kosovës e pohojnë të njëjtën gjë. Po ashtu, një pjesë më e madhe e shqiptarëve të Kosovës (14.7%) pohuan se kishin shumë njohuri për këtë temë, krahasuar me serbët e Kosovës (3.3%) dhe pjesëtarët e komuniteteve të tjera të Kosovës (3.5%)”, thuhet në në Përmbledhjen e Pulsit Publik XXIV.
Ndërkohë ka disa vite rresht që Bashkimi Evropian rekomandon Kosovën se duhet të rrisë angazhimin e saj politik dhe kapacitetin administrativ për të adresuar çështjet që kanë të bëjnë me degradimin e mjedisit dhe ndryshimet klimatike, si dhe për të përmirësuar implementimin dhe zbatimin e legjislacionit të saj. Por në të njëjtën kohë edhe të rrisë ndërgjegjësimin e publikut për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit (https://bit.ly/3ëJqTvz).
Në këtë kuptim nevojitet edhe angazhimi për ti njoftuar qytetarët për të drejtat për të jetuar në një mjedis të shëndetshëm dhe më të pastër, si një e drejtë kushtetuese.
Një gjë e tillë bëhet më urgjente marrë parasysh edhe konstatimet e një raporti të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-së (https://bit.ly/3ës7Ië3) ku thuhet se Kosova është një nga pikat e nxehta të ndryshimeve klimatike, që gjatë viteve në vijim mund të prodhojnë edhe pasoja negative për popullatën lokale.
Ky raport alarmon se krimi mjedisor paraqet sfidë serioze për ekosistemin e Kosovës.
“Krimi mjedisor, sikurse prerjet e paligjshme të drunjve dhe hedhja e mbeturinave, janë sfida serioze për ekosistemin dhe mjedisin. Këto aktivitete jo vetëm që degradojnë burimet natyrore dhe ekosistemet, por edhe përkeqësojnë ndikimet e ndryshimeve klimatike duke rritur nivelet e ndotjes dhe reduktimin e aftësisë së pyjeve për të vepruar si thithës karboni”, thuhet në raportin e NATO-së.
EC Ma Ndryshe bashkë edhe me aktivistë dhe organizata tjera të shoqërisë civile përgjatë viteve të fundit kanë ndërmarrë aktivitete të ndryshme për të ndërgjegjësuar dhe frymëzuar komunitetet e ndryshme brenda Kosovës për ti cytur që të veprojnë si agjentë të ndryshimit në raport me sfidat mjedisore dhe ato të ndryshimeve klimatike. Por mungesa e përkrahjes dhe përkushtimit politik lidhur me sektorin e mjedisit ka bërë që Kosova të vazhdojë të ketë kapacitete të dobëta institucionale, profesionale e financiare për trajtimin e shumë sfidave mjedisore.
Për këtë arsye në linjë me rekomandimet e BE-së, vlen thirrja që të trajtohen me prioritet çështjet mjedisore në Kosovë duke përfshirë këtu edhe përpjekjet për ndërgjegjësim të qytetarëve për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit, sikurse edhe për të avancuar njohuritë e tyre lidhur me të drejtat për të jetuar në një mjedis të shëndetshëm dhe më të pastër.”, shkruan OJQ “EC Ma Ndryshe” në komunikatë./TVPrizreni/