E mërkura e 20 shtatorit nisi me lajmin për një person të vrarë në Malishevë. Vrasjet deri tash gjatë vitit 2023, sipas statistikave zyrtare të Policisë së Kosovës, e kanë kaluar numrin e vrasjeve që ishin gjatë tërë vitit 2022. Sociologu Jeton Brajshori renditi disa arsye për të cilat thotë se është rritur numri i vrasjeve në Kosovë, ndërsa tregon edhe masat që duhet të ndërmerren nga institucionet për parandalimin e tyre.
Sipas statistikave të Policisë, gjatë tërë vitit 2022 janë evidentuar 21 raste të vrasjeve. Ndërsa vetëm në periudhën janar – shtator 2023, numri i vrasjeve ka shkuar në 24.
Sociologu Brajshori ka thënë se fenomeni i vrasjeve në Kosovë ka dalë jashtë çdo logjike. Mosfunksionimi i duhur i ligjit, recidivistë që janë të lirë, probleme me shëndetin mendor e grupet kriminale janë disa nga arsyet, që siç thotë Brajshori, kanë rritur numrin e vrasjeve.
“Fenomeni i vrasjeve në Kosovë ka dalë jashtë çdo common sensi [logjike]! Armët e shumta ilegale, recidivist që enden të lirë, probleme nga e kaluara, probleme me shëndetin mendor, grupe kriminale, institucione anemike të cilat në përgjithësi nuk e kryejnë punën si duhet e në veçanti gjyqësori. Të gjitha këto janë arsyet kryesore se pse ne kemi shumë vrasje në vendin tonë dhe se pse vrasja ka filluar të bëhet normalitet në këtë shoqëri. Në mungesë të funksionimit të ligjit, po kemi raste ku personat po e marrin vetë drejtësinë në dorë, duke i thyer të gjitha normat shoqërore. Pra duke i ekzekutuar personat edhe para fëmijëve të tyre, gjë e cila bie ndesh me traditat e hershme kanunore! Në një shoqëri ku individët e marrin drejtësinë në dorë atëherë shkojnë kah anarkia, e cila është forma ma e keqe e një shoqërie”, ka thënë ai për KOHËN.
Si masa për parandalimin e vrasjeve, Brajshori ka rekomanduar që Ministria e Brendshme të dalë me një afat kohor për dorëzimin e armëve ilegale dhe t’i shpërblejnë personat që i dorëzojnë, ndërsa si domosdoshmëri e ka vlerësuar vettingun në gjyqësor.
“Ministria e Brendshme duhet të dalë me një afat kohor për dorëzimin e armëve ilegale duke i shpërblyer me kupona të gjithë ata që dorëzojnë armët. Këta kupona mbajnë një vlerë të caktuar ku mund t’i konvertojnë për të blerë gjësende të ndryshme. Në disa shtetet fqinje ka pasur sukses kjo mënyrë. Vettingu i thellë në gjyqësor, do të ishte i domosdoshëm sepse gjyqësori te ne është i kapur nga grupet kriminale ndërsa grupet kriminale e kanë përkrahjen e politikës që nga paslufta. Komunikim sa më shumë në familje dhe kampanja sensibilizuese nëpër shkolla për sjelljet devijonte”, ka thënë Brajshori.
Mëngjesin e së mërkurës një person mbeti i vrarë në dalje të autostradës së Malishevës, në fshatin Banjë. Vrasje në muajin shtator pati edhe në Podujevë e Prizren.