Sulmuesi prizrenas i Kosovës, Vedat Muriqi, zhvilloi një sezon të jashtëzakonshëm individual në La Liga, por paraqitjet e tij nuk mjaftuan për ta shpëtuar RCD Mallorca nga rënia në Segunda Division.
Skuadra ishullore u rendit në vendin e 18-të me 42 pikë, duke u përshëndetur me elitën spanjolle pavarësisht fitores 3:0 ndaj Real Oviedo në javën e fundit të kampionatit.
Muriqi ishte ndër futbollistët më të spikatur të sezonit në Spanjë, duke realizuar plot 23 gola dhe duke u renditur si golashënuesi i dytë më i mirë në La Liga, pas Kylian Mbappé që shënoi 25.
Megjithatë, problemet në repartin defensiv dhe mungesa e vazhdimësisë i kushtuan shtrenjtë Mallorcas, duke bërë që forma fantastike e prizrenasit të mos shpërblehej me mbijetesë. Pas pesë sezonesh në elitën spanjolle, e ardhmja e Muriqit te Mallorca mbetet tashmë e paqartë, ndërsa largimi i tij nga klubi po konsiderohet shumë i mundshëm.