Më 2 maj, fshati Gjonaj i komunës së Prizrenit shënon një nga ngjarjet më domethënëse në historinë e pajtimit dhe solidaritetit shqiptar – Ditën e Pajtimit të Gjaqeve.Kjo ditë shënon përvjetorin e tubimit madhështor të mbajtur më 2 maj 1990, ku mijëra shqiptarë nga të gjitha trevat u mblodhën për të vendosur faljen e gjaqeve dhe ndaljen e hasmërive mes familjeve shqiptare.
Ngjarja e zhvilluar në Kodrën e Pajtimit në Gjonaj të Prizrenit grumbulloi rreth 100 mijë qytetarë nga Kosova, Shqipëria dhe viset e tjera shqiptare. Në këtë tubim, u falën 12 gjaqe nga rajoni i Hasit, ndërsa në tri raste – në Dedaj, Mazrrek dhe Rogovë – falja u refuzua. Gjithashtu, gjatë këtij takimi historik u falën edhe 27 gjaqe dhe 36 plagë nga rajone të tjera, përfshirë Prizrenin, Gjakovën, Përdrininë, Lumën dhe Vrrinin.
Ky akt i pajtimit, i organizuar në një kohë të vështirë për shqiptarët e Kosovës, u bë simbol i fuqisë së faljes dhe i vullnetit për unitet kombëtar. Lëvizja për pajtimin e gjaqeve, nën udhëheqjen e profesor Anton Çettës dhe shumë veprimtarëve të tjerë, ishte një nga shembujt më të fuqishëm të mobilizimit paqësor në historinë moderne shqiptare.






