Një grup i vogël i multimiliarderëve mund të zgjidhë çështjen e urisë në botë me vetëm një përqindje të vogël të pasurisë, ka thënë drejtori i Programit për Ushqim në kuadër të Kombeve të Bashkuara.
Miliarderët duhet “të ngrihen tani, vetëm një herë”, ka thënë David Beasley në një intervistë për CNN të martën – duke specifikuar dy më të pasurit në botë, Elon Muskun dhe Jeff Bezosin.
“6 miliardë dollarë për të ndihmuar 42 milionë njerëz në botë që do të vdesin po që se nuk u ndihmohet. Nuk është e komplikuar”, ka thënë ai.
Shefi ekzekutiv i Teslas, Musk, ka pasuri prej rreth 290 miliardë dollarësh, sipas Bloombergut, dhe Beasley ka kërkuar që ai të dhurojë vetëm dy për qind të pasurisë së tij.
Pasuria e miliarderëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është dyfishuar që kur ka nisur pandemia, dhe tani ka vlerë prej 5 trilionë dollarësh.
Një përzierje krizash, si ajo e ndryshimeve klimatike dhe ajo e pandemisë, nënkupton që shumë vende do të godasin në duart e urisë.
Gjysma e popullatës në Afganistan – 22 milionë njerëz – përballen me krizë të urisë, sipas raporteve zyrtare.
Papunësia ka bërë që shteti të thellohet në krizë humanitare dhe 3.2 milionë fëmijë nën moshën pesëvjeçare janë në rrezik.
Një seri raportesh nga administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ka paralajmëruar se efektet e ndryshimeve klimatike do të rrisin problemet për secilën qeveri.
Në Etiopi, rreth 5.2 milionë njerëz janë në nevojë urgjente për ushqim, në një vend që po përballet me mijëra vrasje të civilëve e zhvendosje të milionave.