Banorët e lagjes “Petrovë” në Prizren ankohen për mosndërhyrjen e KRU “Hidroregjioni Jugor” në sanimin e një rrjedhjeje të ujit të pijshëm, për të cilën thonë se kanë raportuar zyrtarisht para rreth një muaji, por deri më tani ekipet teknike nuk kanë dalë në terren.
Sipas banorëve, rastet janë paraqitur më 29 shtator 2026 dhe janë regjistruar me numrat e protokollit 98780, për defekt, dhe 98779, për rrjedhje të ujit.
Ata bëjnë të ditur se, pavarësisht raportimit, rrjedhja vazhdon dhe uji i pijshëm po humbet pa kontroll. Përmes fotografive dhe videos nga vendi i ngjarjes, banorët dëshmojnë gjendjen në terren dhe kërkojnë zgjidhje sa më të shpejtë të problemit.
Banorët shprehin shqetësimin për vonesën e ndërhyrjes, duke theksuar se humbja e ujit të pijshëm për një periudhë kaq të gjatë është e papranueshme, sidomos kur rasti është raportuar dhe është pajisur me numra protokolli.
Për këtë arsye, ata i bëjnë thirrje menaxhmentit dhe ekipeve përgjegjëse të KRU “Hidroregjioni Jugor” që të dalin urgjentisht në terren dhe ta rregullojnë defektin.
Banorët kërkojnë veprim të menjëhershëm, duke theksuar se uji i pijshëm është një pasuri e çmuar dhe se humbja e tij duhet të ndalet sa më parë.
Deri në publikimin e këtij lajmi, nuk kemi një përgjigje nga KRU “Hidroregjioni Jugor” lidhur me arsyet e vonesës dhe kohën e paraparë për sanimin e rrjedhjes.