Lajmi i humbjes tragjike të dy të rinjve në aksidentin e rëndë në Vignola, Itali, ka trishtuar komunitetin e Marano sul Panaro dhe më gjerë, përcjell albinfo.ch.
18-vjeçar shqiptar, Idris Kreshpaj, dhe një 24-vjeçar maroken, Rida Sidrine ndërruan jetë mbrëmë pas një aksidenti të rëndë rrugor. Dy të rinjtë ishin miq të ngushtë dhe jetonin pranë njëri-tjetrit në Marano.
Aksidenti ndodhi rreth orës 21:00, kur makina e tyre, një Citroen C3, u përmbys dhe u përplase me gardhin e një shtëpie.
Një shok tjetër i tyre ka mbetur i plagosur rëndë dhe është shtruar në terapi intensive në spitalin Maggiore në Bolonja, ndërsa dy të rinjtë e tjerë kanë pësuar fraktura, por janë jashtë rrezikut për jetën.
Bashkia e Marano sul Panaro ka shprehur ngushëllimet e saj dhe ka qëndruar pranë familjeve dhe të afërmve të viktimave në këtë moment të dhimbshëm.