Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi raportin “Përcjellja e rekomandimeve për raportin e auditimit ‘Mekanizmat e sigurimit të cilësisë së të dhënave të raportuara për Sistemin e Menaxhimit të Performancës Komunale dhe Grantin e Performancës Komunale për vitin 2021’”. Përcjellja ka vlerësuar nëse veprimet e ndërmarra nga komunat Gjakovë, Klinë, Viti dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) janë në përputhje me qëllimin dhe përmbajtjen e rekomandimeve të dhëna në raportin e auditimit të vitit 2024.
Rezultatet e përcjelljes së zbatimit të rekomandimeve tregojnë se vetëm një rekomandim është zbatuar plotësisht, tri janë në fazën përfundimtare të zbatimit, dy kanë filluar të zbatohen ndërsa dy nuk janë adresuar fare. Konkluzioni i përcjelljes është se MAPL dhe komunat Gjakovë, Klinë dhe Viti kanë punuar për të adresuar rekomandimet, por zbatimi i plotë i tyre kërkon ende angazhim.





