LAJME

Totaj: Eqrem Kryeziu la gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë të re

Totaj: Eqrem Kryeziu la gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë të re
TV Prizreni
TV Prizreni
25 Gusht 2026, 09:23

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, i ka shprehur ngushëllime familjes, miqve dhe bashkëpuntorëve të së ish-kryetarit të komunës, profesorit dhe veprimtarit të shquar, Eqrem Kryeziu.

Totaj theksoi se Kryeziu ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë të re, përmes veprimtarisë së tij politike dhe akademike.

“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të intelektualit të shquar, profesorit dhe veprimtarit të dalluar, Prof. Dr. Eqrem Kryeziu. Profesor Kryeziu la gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë të re si një nga themeluesit dhe figurat qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës, si dhe në udhëheqjen e zhvillimin e qytetit të Prizrenit.” – shkruan Totaj në Facebook.

Tutje, Totaj shtoi se kontributi i Kryeziut në sferën akademike si profesor i letërsisë shqipe dhe në konsolidimin e institucioneve të Kosovës do të kujtohet gjithmonë me respekt të lartë.

Ai ka njoftuar se në nderim të jetës dhe veprës së tij, nën patronatin e Komunës së Prizrenit, sot në orën 14:30, në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha” në Prizren, do të mbahet mbledhje komemorative.

“Ngushëllime të sinqerta familjes Kryeziu, miqve, kolegëve dhe gjithë bashkëpunëtorëve! I përjetshëm qoftë kujtimi për të! Rri në paqe, Profesor!” – përfundoi ai.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika