Sot i është dhënë lamtumira e fundit ish ministrit të Financave, Ali Sadriu, i cili ndërroi jetë të premten në moshën 75 vjeçare.
Në mbledhjen komemorative në nderim të figurës së ish-ministrit Sadriu, ishte i pranishëm kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Abdixhiku në një postim në Facebook shkruan se Sadriu si ministër i parë i Financave në Kosovën e pasluftës vuri themelet e ekonomike e financiare.
“Sot i dhamë lamtumirën e fundit një njeriu të mirë dhe një shërbyesi të ndershëm të Kosovës, Ali Sadriut. Nderuam jo vetëm një figure publike, por mbi të gjitha një njeri të qetë, të urtë dhe të drejtë, që e jetoi politikën si mision dhe jo si skenë. Ali Sadriu ishte mbi të gjitha njeri i mirë, i matur në fjalë, i vendosur në qëndrime. Një njeri që e kuptonte se politika nuk është zhurmë, por përgjegjësi, nuk është shfaqje, por shërbim. Ai i takonte një brezi që besonte se shteti ndërtohet me durim, ligj dhe karakter. Si Ministër i parë i Financave, në Kosovën e pasluftës, ai vuri themelet e ekonomike e financiare të Republikês sonë të re” – u shpreh ndër tjerash Abdixhiku.
