LAJME

Samiti i Ballkanit: Fuqia punëtore dhe tatimet e favorshme, Kosova tërheqëse për investitorët e huaj

Samiti i Ballkanit: Fuqia punëtore dhe tatimet e favorshme, Kosova tërheqëse për investitorët e huaj
TV Prizreni
TV Prizreni
20 Tetor 2026, 12:20

Fuqia punëtore e re dhe e kualifikuar, sistemi tatimor i favorshëm dhe afërsia me tregun evropian janë ndër faktorët që e bëjnë Kosovën tërheqëse për investitorët e huaj, u tha në panelin “Industria dhe Prodhimtaria: Zhvendosja e aktiviteteve prodhuese drejt Ballkanit: Parqet eko-industriale, zonat e veçanta ekonomike dhe prodhimtaria e avancuar”, në kuadër të Samitit të Ballkanit.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare (KDWV), Besnik Vasolli, tha se kompanitë e huaja që tashmë operojnë në Kosovë e njohin tregun, furnitorët, rregullat dhe procedurat, gjë që ua lehtëson zgjerimin e investimeve.

“Ata janë të njohur me tregun, mund ta parashikojnë situatën, i njohin furnitorët, i njohin rregullat dhe procedurat. E dinë se Kosova është një treg ku pagesat bëhen në euro dhe e njohin sistemin tatimor që është në fuqi. Prandaj, për ta është më e lehtë që të zgjerohen. Ajo që, ndoshta, i bind më së shumti për ta zgjeruar investimin është fakti se ata shohin që Kosova ka fuqi punëtore të besueshme, veçanërisht një fuqi punëtore të re, që flet gjuhë ndërkombëtare, kryesisht anglisht dhe, në shumicën e rasteve, edhe gjermanisht. Ata shohin se sistemi tatimor është mjaft i përballueshëm dhe mbështet investimet. Gjithashtu, e shohin Kosovën si një vend pranë Evropës, ndërsa zhvendosja e aktiviteteve afariste në vende të afërta dhe në vende partnere e miqësore janë faktorë të tjerë që i bindin për t’i zgjeruar investimet e tyre. Këta faktorë u krijojnë më shumë siguri se tregjet të cilave u shërbejnë nga Kosova mund të mbeten të qëndrueshme, madje edhe të përmirësohen me kalimin e kohës. Kjo është arsyeja pse ata vendosin të investojnë”, tha ai.

Ndërkaq, ekonomisti në Korporatën Financiare Ndërkombëtare (IFC), Stefan Dragutinovic, theksoi rëndësinë e zhvillimit të parqeve eko-industriale, duke vlerësuar se menaxhimi i përbashkët i burimeve dhe rreziqeve mjedisore mund të ulë kostot dhe të rrisë interesimin e investitorëve.

“Projektet profesionale të gjelbra në praktikat mjedisore të kompanive në zonat industriale, në thelb, ky është një sistem që lehtësohet kryesisht nga operatori i parkut industrial. Bëhet fjalë për një kornizë të përbashkët, përmes së cilës kompanitë, së bashku me operatorët e parkut, menaxhojnë rreziqet mjedisore dhe sociale, përdorin burimet në mënyrë më efikase, koordinojnë zhvillimin e infrastrukturës dhe, çka është shumë e rëndësishme, raportojnë rezultatet e performancës. Ky është modeli minimal që duhet të zbatohet në një park industrial. Në parqet tradicionale industriale, zakonisht ofrohet toka e pajisur me energji elektrike dhe rrugë. Ndërsa në parqet industriale ku funksionon një operator aktiv, ky i fundit, së bashku me kompanitë, planifikon shërbimet e përbashkëta, mënyrën e shfrytëzimit të burimeve dhe masat për përmirësimin e mëtejshëm të parkut. Pse përdoret kjo metodë? Për operatorin, kjo hap mundësi për zhvillimin e shërbimeve shtesë, përtej ofrimit të hapësirës tokësore. Gjithashtu, krijon një bazë të fortë për tërheqjen e kompanive të reja dhe për përmirësimin e veprimtarisë afariste. Për investitorët potencialë, parqet e reja industriale të menaxhuara nga operatorë aktivë, shërbimet e përbashkëta dhe zgjidhjet për energjinë, ujin dhe mbeturinat ulin ndjeshëm kostot kapitale dhe rreziqet përkatëse”, tha ai.

Në anën tjetër, kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve PROEKSPORT ALBANIA (PEA), Edvin Prencce, tha se Ballkani ka potencial të madh për të furnizuar tregun evropian, por duhet të përshtatet me kërkesat e reja të tij, përfshirë standardet e ekonomisë së gjelbër dhe afatet e shkurtra të dorëzimit.

“Prodhimtaria është një sektor i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. për Evropën, çmimi i ulët ishte një faktor i rëndësishëm. Por tani, mendoj se tregu evropian, përveç çmimeve të ulëta, kërkon edhe përmbushjen e standardeve të ekonomisë së gjelbër, afate të shkurtra të dorëzimit dhe, natyrisht, mundësi për porosi të shpejta. Rajoni i Ballkanit është vendi më i përshtatshëm për të prodhuar për tregun evropian, i cili përfshin më shumë se 500 milionë njerëz. Ballkani ka një pozicion unik për të prodhuar për Evropën. Natyrisht, është e rëndësishme që partneri i parë të jetë qeveria. Problemi, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, është mungesa e një kuptimi më të mirë të asaj që kërkon dhe çfarë i nevojitet tregut botëror, veçanërisht sektorëve të ndryshëm.. Gjithashtu, nevojitet një bashkëpunim i mirë me Kosovën, si vend motër, dhe natyrisht edhe me shtetet e tjera të Ballkanit. Së bashku mund të bëjmë një punë të shkëlqyeshme, të prodhojmë më shumë dhe të furnizojmë më mirë tregun evropian”, tha ai.

Paneli u përqendrua në mundësitë që ofron Ballkani për zhvendosjen e aktiviteteve prodhuese, zhvillimin e parqeve industriale dhe tërheqjen e investimeve, me theks të veçantë në bashkëpunimin rajonal dhe përshtatjen me kërkesat e tregut evropian./KP

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika