LAJME

Trendafilova: Specialja ushtron mandatin e saj e pavarur nga presionet e jashtme

Trendafilova: Specialja ushtron mandatin e saj e pavarur nga presionet e jashtme
TV Prizreni
TV Prizreni
20 Tetor 2026, 11:15

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, ka deklaruar se ky institucion që ajo e drejton është i pavarur, por që nga themelimi është përballur me dezinformata lidhur me pavarësinë dhe funksionimin e tij, si dhe me përpjekje për pengimin e drejtësisë.

Deklarimi i saj vjen në kohën kur Kuvendi i Kosovës ka miratuar ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, ndërsa pritet dekretimi i tij nga presidentja e Kosovës.

Trendafilova ka theksuar se Dhomat e Specializuara janë institucion gjyqësor, mandati i të cilit buron nga shkëmbimi i letrave, Kushtetuta e Kosovës dhe Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

“Që nga themelimi, Dhomat e Specializuara janë përballur me dezinformata lidhur me pavarësinë dhe funksionimin e tyre. Po ashtu, ka pasur përpjekje për të penguar drejtësinë, të cilat kanë çuar në dënime dhe pranime të fajësisë për frikësimin e dëshmitarëve para Gjykatës”- thuhet në deklaratën e saj në “X”.

Sipas Trendafilovës, gjykata është e përqendruar në zhvillimin e procedurave penale të sigurta, të pavarura, të paanshme, të drejta dhe efikase, duke siguruar njëkohësisht mbrojtje për dëshmitarët dhe viktimat.

“Ndryshe nga dezinformatat për Gjykatën që vazhdojnë të përhapen, Dhomat e Specializuara u garantojnë të akuzuarve të drejtat për gjykim të drejtë, në përputhje me standardet e njohura ndërkombëtarisht”- thuhet në deklaratë.

Ajo ka theksuar se gjyqtarët e emëruar në këtë gjykatë vijnë nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe shtetet kontribuuese.

Sipas saj, për t’u emëruar gjyqtarë në Dhomat e Specializuara, ata duhet të kenë karakter të lartë moral, paanshmëri dhe integritet, si dhe kualifikimet e nevojshme për t’u emëruar në pozitat më të larta gjyqësore në shtetet e tyre.

“Siç përcaktohet në betimin e tyre gjyqësor, gjyqtarët i kryejnë detyrat e tyre gjyqësore në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe të ndërgjegjshme, duke i shërbyer drejtësisë dhe sundimit të ligjit”- thuhet në deklaratë.

Trendafilova ka thënë se gjyqtarët zbatojnë konventat ndërkombëtare të referuara në Kushtetutën e Kosovës, përfshirë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe praktikën gjyqësore që lidhet me të.

Ajo ka shtuar se vendimet gjyqësore mund të kundërshtohen përmes procedurave të apelimit, përfshirë panelet e apelit të Dhomave të Specializuara dhe panelin e Gjykatës Supreme. Po ashtu, të akuzuarit mund t’i drejtohen Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese nëse konsiderojnë se u janë shkelur të drejtat.

Sipas saj, të akuzuarit i kanë shfrytëzuar këto mjete juridike dhe në disa raste kanë pasur sukses.

“Ndërsa kritikat ndaj vendimeve gjyqësore janë legjitime në një shoqëri demokratike, sundimi i ligjit kërkon që askush të mos diktojë se si gjyqtarët e interpretojnë dhe e zbatojnë ligjin”- thuhet në deklaratë.

Në fund, Trendafilova ka theksuar se Dhomat e Specializuara e ushtrojnë mandatin e tyre pa ndikim apo ndërhyrje politike.

“Dhomat e Specializuara mbeten të palëkundura në përkushtimin e tyre për të respektuar standardet më të larta ndërkombëtare, duke vazhduar punën që u është besuar në mënyrë të pavarur nga çdo presion i jashtëm, me pritjen që të gjithë aktorët e përfshirë t’i përmbushin detyrimet e tyre përkatëse për të siguruar respektimin e sundimit të ligjit”- thotë ajo.

Kuvendi i Kosovës ia ka dërguar Presidentes së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, për dekretim.

Ligji ishte miratuar më 06.10. 2026, me 88 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Ndryshimet ligjore lidhen me Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Pas marrjes së dokumentit, Presidentja e Kosovës ka në dispozicion një afat prej 8 ditësh për ta dekretuar shpalljen e ligjit, ose për ta kthyer atë mbrapsht në Kuvend me vërejtjet përkatëse.

Nëse Presidentja e nënshkruan dekretin, ligji botohet në Gazetën Zyrtare dhe hyn në fuqi sipas përcaktimeve kalimtare të tij.

Ndërsa, sipas Nenit 80, paragrafi 2 të Kushtetutës, nëse Presidenti e kthen ligjin në Kuvend, ajo duhet të citojë arsyet e kthimit. Presidenti i Republikës së Kosovës mund ta shfrytëzojë të drejtën e kthimit të një ligji vetëm një herë.

Sipas Nenit 80, paragrafi 5, nëse Presidentja brenda tetë ditësh pas marrjes së ligjit, nuk merr asnjë vendim për shpalljen ose kthimin e tij, ligji konsiderohet i shpallur, pa nënshkrimin e saj dhe publikohet në Gazetën Zyrtare.

Ndërkaq, sipas Nenit 113 të Kushtetutës, paragrafi 2, presidentja e Kosovës është i autorizuar të ngrejë në pyetje përputhshmërinë e ligjeve me Kushtetutën.

Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka kritikuar ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke thënë se ato bien ndesh me detyrimet e Kosovës ndaj Bashkimit Evropian.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, ditën kur skadonte afati për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Atë ditë, më 06.10.2026, Kuvendi zgjodhi presidente Justina Shiroka-Pulën, me 81 vota.

Me këto votime ka përfunduar edhe protesta e zhvilluar për 21 netë me radhë, e organizuar pas dënimit të katër ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale.

Ligji nuk propozon shfuqizimin e Dhomave të Specializuara, por kufizimin e juridiksionit të tyre dhe transferimin në institucionet e drejtësisë së Kosovës, të rasteve që, sipas propozimit, nuk hyjnë në juridiksionin e Speciales.

Në projektligj parashihet që dënimi maksimal të kufizohet në 15 vjet, dënimet të ekzekutohen në Kosovë dhe Presidenti të ketë kompetencë për falje, ndërsa puna e Dhomave të jetë subjekt i monitorimit nga organizata ndërkombëtare si dhe kontrolli kushtetues i ligjit të bëhet nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës në Prishtinë.

Gjykata Speciale më 16 shtator i ka dënuar me 81 vjet burgim në total katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi janë dënuar me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.

Vendimi është i shkallës së parë dhe mund të apelohet.

Ndërkohë, me vendim të Qeverisë është themeluar Grupi punues për harmonizimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e apelit para Dhomave të Specializuara në Hagë, i cili kryesohet nga zëvendëskryeministri Glauk Konjufca./Kallxo.com

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika