Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka caktuar 28 dhjetorin për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njëherazi lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, ka mirëpritur caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare.
Kurti ka pohuar se dita e zgjedhjeve është festë e demokracisë.
“Ajo bëhet edhe më madhështore kur ka pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve tanë me të drejtë vote. Në të njëjtën kohë, duhet të sigurohemi që institucionet shtetërore kanë kohën e mjaftueshme për të bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që procesi zgjedhor të jetë i rregullt, i drejtë dhe demokratik”, ka deklaruar Kurti.
Tutje, ai ka shkruar “ne e mirëpresim caktimin e datës 28 dhjetor nga Presidentja e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu, si datën më të përshtatshme për zgjedhjet e parakohshme që po na presin”.
