LAJME

Bekim Gashi emërohet kryeshef ekzekutiv i KRU “Hidroregjioni Jugor” në Prizren

Bekim Gashi emërohet kryeshef ekzekutiv i KRU “Hidroregjioni Jugor” në Prizren
TV Prizreni
TV Prizreni
1 Prill 2026, 09:49

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” në Prizren ka bërë të ditur se nga sot detyrën e kryeshefit ekzekutiv të kompanisë e ka pranuar, Bekim Gashi.

Me këtë rast, KRU “Hidroregjioni Jugor” i ka uruar Gashit suksese në detyrën e re, duke shprehur besimin se përvoja dhe angazhimi i tij do të kontribuojnë në avancimin e shërbimeve ndaj konsumatorëve, rritjen e efikasitetit dhe zhvillimin e mëtejmë të ndërmarrjes.

Tutje, kompania thekson se mbetet i përkushtuar që edhe në të ardhmen të ofrojë shërbime cilësore, furnizim të qëndrueshëm me ujë të pijes dhe mirëmbajtje të vazhdueshme të rrjetit në të gjitha zonat e shërbimit.

Me rastin e përfundimit të detyrës së tij, ish-kryeshefi i kësaj kompanie, Fadil Berisha, ka shprehur mirënjohje për besimin dhe mundësinë që iu ofrua për të shërbyer dhe kontribuuar në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.

“Kjo periudhë për mua ka qenë një përvojë e veçantë profesionale dhe njerëzore. Së bashku me një staf të përkushtuar, kemi punuar çdo ditë me përkushtim për të përmirësuar shërbimet, për të zhvilluar kompaninë dhe për të qenë sa më afër nevojave të qytetarëve. Jam mirënjohës për bashkëpunimin, mbështetjen dhe besimin që kam ndjerë gjatë gjithë kësaj kohe. Çdo arritje e realizuar është rezultat i punës së përbashkët dhe përkushtimit të shumë njerëzve që punojnë çdo ditë për të ofruar shërbime më të mira” – shkruan ai.

Ai ka thënë se largohet me krenari për punën e bërë dhe rezultatet e arritura, pa marrë parasysh sfidave të shumta të natyrave të ndryshme, sipas tij.

“Ndërsa po e dorëzoj këtë përgjegjësi, largohem me krenari për punën e bërë dhe rezultatet e arritura, pa marrë parasysh sfidave të shumta të natyrave të ndryshme. Uroj që kryeshefi i ri ekzekutiv do të vazhdojë të përmirësojë shërbimet ndaj qytetarëve. KRU “Hidroregjioni Jugor” të zhvillohet dhe të përparojë edhe më tej. Falënderoj sinqerisht të gjithë ata që kanë qenë pjesë e këtij rrugëtimi” – përfundoi Berisha.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika