Dhjetë raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës gjatë 24 orëve të fundit, ku në 9 prej tyre viktima janë gra.
Sipas raportit policor, rastet janë regjistruar në Fushë-Kosovë, Prishtinë, Kamenicë, Novobërdë, Deçan, Pejë, Shtime dhe Malishevë.
Në Prishtinë janë raportuar 3 raste. Në njërin prej tyre, një grua ka deklaruar se ka përjetuar dhunë psikologjike nga bashkëjetuesi i saj. I dyshuari është intervistuar dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt.
Në rastin e dytë, një burrë dyshohet se ka sulmuar fizikisht vajzën e tij, e cila ka marrë trajtim mjekësor. Policia ka bërë të ditur se i dyshuari nuk është hasur.
Ndërkaq, në rastin e tretë, një grua ka raportuar se është kërcënuar me video-incizime nga një burrë me të cilin ishte në lidhje. I dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.
Në Fushë-Kosovë është arrestuar një burrë, nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten. Viktima ka marrë ndihmë mjekësore, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Një rast tjetër është regjistruar në Kamenicë, ku një burrë është arrestuar pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij. Edhe në këtë rast, viktima ka marrë trajtim mjekësor.
Në Novobërdë është arrestuar një baba, i dyshuar për sulm fizik ndaj vajzës së tij të mitur, e cila, sipas raportit policor, ka probleme të shëndetit mendor. E mitura ka marrë ndihmë mjekësore, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Në Deçan, një grua ka raportuar se vazhdimisht përjeton dhunë psikologjike nga bashkëshorti. Gjatë trajtimit të rastit, i dyshuari ka deklaruar se posedonte një armë automatike, të cilën policia e ka sekuestruar së bashku me një karikator të zbrazët. Pas intervistimit, ai është liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit.
Në Pejë, një burrë dyshohet se ka sulmuar fizikisht motrën e tij. Pas intervistimit të palëve, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Në Shtime, një grua ka marrë trajtim mjekësor pasi dyshohet se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti pas një mosmarrëveshjeje. I dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa rasti është iniciuar si “Lëndim i lehtë trupor”.
Ndërkohë, në Malishevë është arrestuar një grua, e dyshuar se ka kanosur djalin e saj pas një mosmarrëveshjeje lidhur me një kontest pronësor. Me vendim të prokurorit, ajo është dërguar në mbajtje për 48 orë./KP