Prokuroria Themelore në Prizren njofton se Departamenti i Krimeve të Rënda ka ngritur aktakuzë kundër S.D., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Kontrabandimi me migrantë”, nga neni 164, paragrafi 5 i KPRK-së, ndërsa B.D., dhe A.F, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Kontrabandimi me migrantë” nga neni 164, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, më 23 shtator 2025, në afërsi të vendkalimit kufitar të Vërmicës, konkretisht tek ura e fshatit Shkozë, S.D., ka organizuar dhe drejtuar veprimet për kontrabandimin e 10 migrantëve, të gjithë shtetas të Egjiptit, të cilët kishin kaluar në mënyrë të kundërligjshme kufirin Kosovë – Shqipëri.
Prokuroria bën të ditur se i akuzuari S.D., kishte marrë me qira një automjet, të cilin më pas ua kishte dorëzuar B.D., dhe A.F., me qëllim që këta të fundit të kryenin transportimin e migrantëve nga zona e Vërmicës në drejtim të pikës kufitare Kosovë – Serbi. Për realizimin e këtij qëllimi, të pandehurit ishin nisur në drejtim të zonës kufitare, ndërsa S.D., kishte komunikuar me B.D., dhe e kishte udhëzuar lidhur me vendin dhe kohën e pritjes së migrantëve.





