Përfshirja e grave në vendimmarrje është tejet e rëndësishme dhe është dëshmi se pjesëmarrja e të njëjtave e bënë procesin më të suksesshëm dhe më të qëndrueshëm. Kështu u tha në konferencën ku u shënuar fillimi i projektit “Përfshirja e Grave në Tavolinën e Negociatave” nga Zyra e BE-së në Kosovë.
Aty u theksua se Kosova ka shënuar progres në përzgjedhjen e grave në pozita të larta udhëheqëse, por që u potencua ende ka shumë punë për t’u bërë që gratë të kenë mundësi të barabarta në vendimmarrje.
Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, tha se gratë po marrin përgjegjësi institucionale në Kosovë, e një trend i tillë tha se shpreson që ta sheh edhe në nivelin lokal.
Szunyog deklaroi se fakti që gratë kanë marrë pozita të larta udhëheqëse në Kosovë është një tregues pozitiv, por që tha se kjo nuk do të thotë që gratë kanë mundësi të barabarta në vendimmarrje.
Szunyog: Gratë po marrin përgjegjësi institucionale edhe në Kosovë
“Gratë po marrin përgjegjësi institucionale edhe në Kosovë, ne kemi një grua presidente, më tepër ministre dhe zëvendësministre, më tepër deputete në nivel qendror dhe lokal, por edhe gra afariste. Shpresoj që ky trend do të vazhdojë edhe në nivel komunal. Mirëpo, kemi tendencë që të shohim këtë si një progres, por e dimë që këto hapa përpara përfshijnë edhe përpjekjet e shumë pjesëmarrësve apo palët e interesit por ende kemi shumë për të bërë. Numrat nuk janë indikatori i vetëm relevant, fakti që gratë siç ka qenë rasti në Kosovë kanë pasur pozita shumë të larta është një tregues pozitiv, por kjo nuk do të thotë që gratë kanë mundësi të barabarta në vendimmarrje”, tha ai.
Zërat e grave tha se duhet të dëgjohen, ku për këtë ai u shpreh se dëshirojnë të dinë mendimin e grave për tema të shumta që lidhen me Kosovën.
Ai u shpreh se gratë duhet të përfshihen kur merren vendime, që sipas tij është garantues se ato vendime do të jenë më të suksesshme dhe më të qëndrueshme.
Szunyog: Pjesëmarrja e grave në procese vendimmarrëse e bënë procesin me të suksesshëm
“Përjashtimi i grave nga procese vendimmarrëse nuk është vetëm një e padrejtë dhe jo përfshirëse, por edhe nuk është e orientuar në rezultate. Është dëshmuar që pjesëmarrja e grave në çfarë do procesi vendimmarrës e bënë këtë proces më të suksesshëm dhe më të qëndrueshëm”, tha Szunyog.
Menaxherja e projektit, Reyes Charle, tha se pandemia ka vështirësuar shumë realizimin e këtij projekti më herët, por që tani tha se është momenti i duhur për ta realizuar të njëjtin.
Charle: Tani është një moment i mirë që ta shpalosim këtë projekt
“Çfarë mund të bëjmë që ta fuqizojmë grupin dhe të bëjmë gjëra më të mira, por erdhi pandemia dhe ishte shumë vështirë që gjërat t’i ndërlidhnim dhe madje të takoheshim. Tani është një moment i mirë që ta shpalosim këtë projekt”, tha ajo.
Jovana Radosavljevic, drejtoreshë ekzekutive në “New Social Initiative”, tha se qëllimi është që përmes këtij projekti të fuqizojnë zërat e grave në Kosovë.
Radosavljevic: T’i përfshijmë më mirë gratë në tavolinën e negociatave
“Qëllimi është që bashkërisht zërat e grave në Kosovë dhe një varg debateve dhe seancave ku mund t’i shkëmbejmë përvojat se si t’i përfshijmë më mirë gratë në tavolinën e negociatave. Me këtë do të përfundojmë edhe me një raport i cili do të përmbajë rekomandimet lidhur me këtë”, tha ajo.