Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar lidhur me mungesën e transparencës dhe llogaridhënies në procesin e emërimit të kandidatëve për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM)
Në reagimin e IKD-së thuhet se Kuvendi i Kosovës dhe asnjë institucion publik nuk mund të thirret në procedurat e brendshme për të shkelur obligimet kushtetuese e ligjore dhe parimet që promovojnë transparencën dhe llogaridhënien.
“Në rastin konkret, Kuvendi i Kosovës ka dështuar të respektojë obligimin kushtetues e ligjor që anëtarët e KPM të emërohen në procedura të hapura dhe transparente. Arsyetimi se komisionet ad hoc në përgjithësi nuk publikojnë njoftime për mbajtjen e seancave në faqen zyrtare bie në kundërshtim me kërkesën kushtetuese e ligjore që ky proces të jetë i hapur dhe transparent. Njëherit, nuk është i qëndrueshëm as argumenti i dhënë nga anëtarët e Komisionit ad hoc se transparenca është respektuar me vetë faktin se zgjedhja e komisionit ad hoc është bërë në procedurë plenare (publike). Shoqëria civile nuk është njoftuar për datat konkrete të emërimit dhe procesi ka dështuar të jetë transparent. Komisioni i Pavarur i Mediave është institucion që vepron në interesin publik ndaj edhe publiku ka të drejtë që të dijë se kush emërohet në këtë Komision dhe çfarë përfaqëson”, thuhet në reagimin e IKD-së.





