I dyshuari për vrasjen e ish-gruas në Ferizaj të premten, Valon Aliu, ka thënë se pas një konflikti e qëlloi fillimisht vëllain e ish-gruas, pastaj 21-vjeçaren dy herë, e më pas i kishte drejtuar armën vetes në kokë por që sipas tij kishte qenë e zbrazur.
Këtë deklarim i dyshuari e bëri të shtunën në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ku u mbajt seanca dëgjimore për caktimin e paraburgimit, raporton “Betimi për Drejtësi”
“Revolen e kam pas me vete në kuk, fillimisht nëse nuk gaboj e kam rrok vllaun e saj, e më pas ish-bashkëshorten, nuk e di por nja dy herë kam shtënë në drejtim të saj, tani ja kam drejtu vetit armën në kokë por s’kish pasë plumba e pastaj kam ik te shtëpia”, deklaroi i dyshuari Valon Aliu.
Prokuroria Themelore në Ferizaj më 13 prill 2024, ka dorëzuar në Gjykatë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit për “vrasje të rëndë”, Valon Aliu.
E.C., 21 vjeç, u vra dje nga ish-bashkëshorti 36-vjeçar në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj. I plagosur mbeti vëllai i viktimës 15 vjeç. Dyshohet se çifti kishin mosmarrëveshje për kujdestarinë e fëmijëve.