Nga Shëngjini vjen lajmi i mirëpritur për specien më të re që i shtohet listes se shpendeve të Shqipërisë, thuhet nga AOS- Albanian Ornithological Society.
“Fotot me sfond urban nga Adon Pajaziti konfirmojnë për herë të parë praninë e Cafkës gushëbardhë në Shqipëri. Quhet gushëbardhë për shkak të gushës së bardhë ne trupin dhe krahët me ngjyrë gri të errët. Sqepi dhe shputat e këmbëve janë të verdha.
Kjo cafkë është lloj aksidental në Europë ndonëse i shfaqur gjithnjë e më shpesh përgjatë viteve të fundit. Ndër vendet fqinje, shihet më shpesh në Itali, Greqi, Bullgari, Hungari dhe Slloveni.
Parapëlqen cektinat baltore bregdetare, brigje ranore, mangroviet ku ushqehet me peshq, amfibe dhe reptilë, insekte dhe krustace etj.
Vendet e folezimit shtrihen kryesisht ne Afrikë në bregun e Atlantikut, në brigjet e detit të Kuq, në lindjen e mesme deri në Indi.
Në ndryshim nga shumica e cafkave të tjera, folezon më vete ose në koloni të vogla të përbëra vetëm prej saj.
Falemnderit nga zemra Adon për këtë gjetje të rrallë e të rëndësishme.”, thuhet në njoftimin e AOS.